LONDËR- Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkoi fshirjen e një pjese të konsiderueshme të borxhit të Greqisë duke paralajmëruar se ndryshe mund të ndërpresë financimin e vendit, sipas gazetës “Financial Times”. Ky paralajmërim, sipas gazetës, u bë nga shefi i departamentit të Europës, Paul Thomsen ndaj ministrave të Financave të eurozonës, që u takuan në Riga.

“Gjysma e 7,2 miliardë eurove që përbëjnë objektin e negociatave intensive ndërmjet Athinës dhe kreditorëve, do të jepen nga FMN-ja”, vë në dukje gazeta duke shtuar se Greqisë i duhet t’i sigurojë 7.2 miliardët, me qëllim që të shmangë një falimentim.

“Vendet kreditore të eurozonës, që disponojnë pjesën më të madhe të borxhit grek, janë kategorikisht kundër fshirjes së këtij borxhi, por mbështetja e FMN-së është e një rëndësie të madhe për financimin e ofruar dhe për t’u ruajtur mbështetja politike për ndihmën ndaj Greqisë, veçanërisht në Gjermani”, thekson gazeta.

Sipas dy zyrtarëve pjesëmarrës në takimin e Eurogrupit të Rigas muajin e kaluar, Thomsen tha se të dhënat paraprake që ka marrë FMN-ja nga autoritetet greke tregojnë se Athina do të ketë një deficit prej 1,5 për qind për sivjet, ndërsa mbi bazën e objektivave aktualë, Athina do të duhej të paraqiste një suficit primar prej tre për qind të PPB-së për 2015-n.

“Me suficitin e madh primar të transformohet në një deficit të konsiderueshëm, nivelet e borxhit të Greqisë do të rriten sërish”, shton gazeta. “Kjo do të detyronte ose Athinën të marrë masa drastike shtrëngese ose kreditorët të bien dakord në fshirjen e borxhit, me qëllim që të vihet në një rrugë të qëndrueshme”, gjykon nga ana e saj FMN-ja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: