TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar për ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike. Kjo ishte çështja që veçoi nga raporti i KQZ i sjellë në Parlament nga kreu i KQZ Klement Zguri.

“Ne ndoqëm me vëmendje raportin e KQZ të bërë publik nga kryetari Zguri dhe sigurisht janë plot çështje që meritojnë vëmendje të shtuar nga Kuvendi. Do doja që rezoluta të ishte një temë diskutimi. Dua të ritheksoj nevojën që opozita të plotësojë vendet bosh që ka në KQZ. Deputetët e opozitës në përmbushje të detyrimit për formësimin e grupeve parlamentare të marrin përgjegjësitë për plotësimin e këtyre vakancave.
Në raportin e Zgurit bie në sy një prej problematikave që e përmendi dhe zonja Hajdari, çështja e financimit të partive politike. Thembra e Akilit të gjithë këtyre viteve demokraci. Transparenca mbetet sfidë. Rasti i përmendur nga zoti Zguri që është objekt hetimi në Shqipëri, rasti i financimit të PD. Në SHBA pritësi i parave ka marrë 1 mln dollarë është një alarm i madh se si ligji i financimit të partive nuk është ai që duhet”, deklaroi Balla.

Sipas tij, nuk është rrjeta që duhet për të kapur shkelësit e ligjit. “Ne duhet që në javët në vijim përveç komisionit të posaçëm për kodin zgjedhor, duhet të ngremë një komision tjetër për ndryshimin e ligjit për financimin e partive. Çështja e kodit zgjedhor ka të bëjë me infrastrukturën”, tha ai.

Po kështu Balla deklaroi se depolitizimi i komisionerëve mbetet një sfidë. “Nevoja për të punuar së bashku ka buruar nga rekomandimet e OSBE-ODIHR. ODIHR është institucion i gjithëpranuar në Europë e jo vetëm për mirëadministrimin e procesit zgjedhor. Dëshira e PS ka qenë për zbatimin e këtyre rekomandimeve. Një prej tyre është depolitizimi i komisionerëve. nuk duhet më partitë votojnë, partitë numërojnë. Ia kam kërkuar kolegëve demokratë e të LSI që në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Balla.

Më tej, kreu i grupit parlamentar të PS, tha se ndryshimet në kod s’mund të jenë të implementueshme për zgjedhjet e 30 qershorit. “Apeli im është të vijojmë punën me përpikmëri. Ndaj të gjithë atyre qytetarëve që e ndiejnë që mund të plotësojnë vendet vakante nga mungesa e PD dhe LSI, të plotësohen me vullnetarë vendet në KQV e KQZ”, apeloi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb