TIRANE – Gazeta “Panorama” shkruan sot se personi që dyshohet të jetë financuesi dhe organizatori kryesor i rrjetit të trafikut të kokainës, Genci Xhixha, ka hyrë në Shqipëri vetëm dy ditë para se të kryhej operacioni në Xibrakë, ku u zbulua laboratori i drogës. Nga të dhënat që Policia ka verifikuar në sistemin TIMS, Xhixha rezulton të ketë dalë nga Shqipëria më 13 dhjetor të vitit 2014 dhe ka hyrë sërish më 12 janar të këtij viti.
Dy ditë pasi ai kishte ishte futur në territorin shqiptar, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestuan 9 persona, mes tyre edhe dy shtetasit kolumbianë, të cilët dyshohet se ka qenë vetë Xhixha që i ka sjellë në Shqipëri. Megjithatë, ai vetë ende nuk është arrestuar, edhe pse momentalisht është një ndër personat më të kërkuar nga Prokuroria dhe Policia shqiptare.
Edhe pse ai ka një datë hyrjeje, 12 janarin e këtij viti, në sistemin e Policisë nuk është shënuar asnjë datë tjetër daljeje e tij. Zyrtarisht ai figuron në Shqipëri, edhe pse ende nuk është gjetur për t’u arrestuar. Megjithatë burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime të arsyeshme se ai mund të ketë përdorur rrugë ilegale për të kaluar kufirin dhe për t’u kthyer sërish në Kubë, ku ka jetuar prej vitesh me bashkëshorten e tij kubaneze.
GENCI XHIXHA ISHTE DENONCUAR PER PASTRIM PARASH
Genci Xhixha ishte denoncuar në prokurori në vitin 2011 nga Drejtoria e Pastrimit të Parave pranë
Ministrisë së Financave. Në kallëzimin e bërë asokohe në prokurori thuhej se personi në fjalë ka qarkulluar shuma të mëdha parash me veprimet bankare që kryente. Nuk dihet fati që ka pasur padia penale në prokurori, por mësohet se shqiptari që jeton në Kubë, në qytetin e Holguinit, është mbajtur në vëzhgim për veprimet financiare që ka kryer gjatë viteve në vazhdim. Shtetasi Genci Xhixha u shpall në kërkim nga prokuroria menjëherë pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë, pasi rezultoi se kishte biseda telefonike me të arrestuarit në Shqipëri, Ermal Hoxha dhe Gentian Gjonaj. Sipas akuzës, ka dyshime se Xhixha ka qenë personi që siguronte kokainën që nisej për në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: