DURRËS- Një 41-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë, pasi akuzohet për veprën penale “Ndotja e ujërave”. Burime zyrtare nga policia e Durrësit bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasen me inicialet M.Zh., banuese në Tiranë.

Pas denoncimit që u bë në Komisariatin Dixhital, policia ushtroi kontrolle afër grykëderdhjes së kanalit ujëmbledhës të Hidrovorit në fshatin Hamallë, dhe u konstatua se një firmë ndërtimi, punimet zbatuese të së cilës drejtoheshin nga shtetasja M.Zh, po gërmonte e pastronte kanalin duke i hedhur ujërat e pastrimit në det dhe ndotur atë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti që shërbente për gërmimin dhe dokumentacioni i firmës së ndërtimit. Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës duke referuar materialet për veprën penale “Ndotja e ujërave”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb