Historia e saj është bërë sot kryefjalë e lajmeve në media, pasi edhe pse gjendet në një azil, figuron të jetë pronare e një kompanie me vlerë 30 milionë eurosh.

Haxhire Gurakuqit, 90-vjeçarja nga Përrenjasi që jeton në Tiranë, është befasuar nga fakti se ajo figuron të jetë pronare e një biznesi në Laç, ndërkohë që deklaron se kurrë nuk ka qenë në këtë qytet. Në një intervistë për gazetarin e ‘News24’ Mario Merhori, e moshuara tregoi se si kishte rënë pre e një mashtrimi nga dy persona, të cilët i ishin paraqitur si punonjës të prokurorisë dhe i kishin kërkuar që të firmoste një letër. Ajo mes të tjerash tregoi se për historinë e saj i kishte shkruar dhe kryeministrit Rama, duke shtuar se nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

E moshuara tha se nuk e njihte Klodian Zoton dhe se nuk e kishte takuar asnjëherë.

Ndër të tjera e moshuara i bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me pasaportat dhe mjetet e tyre të identifikimit, pasi me to mund të bëhen abuzime.

“Jam viktimë. Erdhën dy persona dhe firmosa një letër të bardhë. Se dija kush ishin, më thanë jemi nga prokuroria. Kur ika te Tatimet, te 9-Katshet më thanë; je viktimë! Kush e di se sa veta kanë mashtruar si puna ime. I kam shkruar dhe Edi Ramës, por s’më ka kthyer përgjigje. Të njëjtën gjë bëri edhe drejtori i Tatimeve. I bëj thirrje të gjithëve që të kenë kujdes me pasaportat se do ta pësojnë si puna ime.”, tha 90-vjeçarja.

INTERVISTA E PLOTE
Sa vite keni qe jetoni në azil?
Kam dy vite e gjysmë që jetoj këtu. Për 29 vite kam jetuar me qira, se mu prish shtëpia në Përrenjas. Ndodhën ato që ndodhën. Qiramarrësi më nxori se e donte vetë. Unë kërkova shtëpi te shteti, nga ato sociale. ata kërkonin dokument nga pronari i shtëpisë..

E njihnit Klodian Zoton? Se keni takuar asnjëherë?
Jo nuk e njoh. Nuk e di se kush është. S’kam shkuar as te familjarët fare, kam 25 vite nëna që…Unë njoh c’merr Përrenjas dhe ndonjë në Laprakë.

A keni të ardhura të tjera?
jo asgjë. Vetëm ato lekë kisha të pensionit. Ato i doja që të kompensoja se 160 mijë lekë s’të mban privati.
Si u ndjetë kur emri juaj qarkulloi në media si ‘biznesmenë’? A ndiheni keq?
Posi s’më vjen keq. Më vjen keq. S’kisha frikë. Se gjoja unë biznesmene dhe s’kisha paguar tatimet. S’kam frikë nga drejtësia. I bëj thirrje njerëzve që të kenë parasysh këtë ngjarjen time. pasaportat mos t’i lënë, por ti grisin më mirë. Me pasaportat tona luhen, bëhen këto dallavere.

Ju në momentin që kanë ardhur dy persona, ju keni firmosur diçka.
Po po, firmosa. Mua drejtori ma bëri me shenjë, por unë e kapa vonë. Ata mu paraqitën si të prokurorisë, jo kshu…

Firmosët?
Po.

I lexuat?
Nuk kishe te shkruajtur asgjë aty, ishte letra e bardhë. Më thanë se do vësh një firmë këtu dhe ne do i shkruajmë këtu. E kapa vonë shenjën e drejtorit. Kam pasur telefonata. I gjithë Përrenjasi më mori në telefon. Më thanë; ç’është ky muhabet?! S’dimë gjë që ke qenë bizneseme. ‘Ti ke qenë mjekja jonë’-më thanë. Më thanë; mos ki merak se ne të besojmë.

Keni mbështetjen e shoqeve?
Vijnë më japin mbështetje. Vijnë shoqet, më japin lekë. Shoqëria e Përrenjasit, që kam pasur atje, mësuese, pedagoge, vijnë këtu.

I keni shkruar dhe Edi Ramës?
I shkruajta dhe i thashë; kështu ma kanë bërë. S’kam marrë përgjigje nga Rama. I shkruajta me zarf dhe ia çova. Shkova në Poste me rekomande ia çova. I çova dhe drejtorit të Tatimeve, se; nuk jam biznesmene. As ai nuk mu përgjigj. Shkova dhe te këto Tatimet këtu te 9-Katshet. Më ndihmuan, më dhanë; shko te drejtori të Stadiumi Dinamo. Shkova atje dhe s’më futën brenda fare. Më thanë; mos firmosje! Flisja me atë si roje aty. Ata më thanë se ishin të prokurorisë. Ju ktheva atyre dhe i thashë kështu, kështu; ata më thanë; O moj nënë, ti je viktimë. I thashë; ‘E di dhe vetë që jam viktimë’. Ça të bëj. Pështy përpjete më bie syve, pështy poshtë më bie kraharorit, t’i themi derrit dajë. Por i thashë; se lë me kaq, se do t’i hedh në gjyq. Ai Shina më vjen të shoh, që jam biznesmene, po ai është hajdut. Po të rrëmohet do ketë dhe të tjerë si puna ime! I ka futur ato dhe ndajnë lekët sëbashku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: