Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Genti Gazheli, në vijim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, firmosën Urdhrin e Përbashkët, i cili konsiston në forcimin e kontrollit të përbashkët nga strukturat policore dhe ato doganore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe krimeve të tjera ndërkufitare.

Nano dhe Gazheli vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm midis strukturave që ata drejtojnë, në angazhimin dhe përdorimin optimal të burimeve njerëzore, teknike dhe buxhetore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për qarkullimin e shtetasve dhe të mallrave. Modeli i bashkëpunimit dhe i funksionimit të Task Forcës permanente dhe rezultatet e arrira, në Portin e Durrësit dhe në Rinas, janë shumë inkurajuese për ta forcuar akoma edhe më shumë këtë bashkëpunim.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Bashkëpunimi ndërsektorial përbën themelin e menaxhimit të integruar të kufirit, që kërkon ndarje të koordinuar të punës, vendosjen e standardeve për bashkëpunim, promovimin e përdorimit të përbashkët të të gjitha kapaciteteve, kanalet e komunikimit dhe sinkronizimin e procedurave të punës. Ky bashkëpunim mundëson angazhimin dhe përdorimin optimal të burimeve njerëzore, teknike dhe buxhetore të të dy agjencive, me qëllim lehtësimin e qarkullimit legjitim të shtetasve dhe mallrave, përmirësimit të sigurisë kufitare, si dhe parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar. Rregullorja që do të miratojmë sot është fryt i një përpjekjeje të përbashkët, që ka si qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, mbikëqyrjes, kontrollit kufitar dhe doganor gjatë procedurave të hyrje-daljeve të shtetasve, mjeteve e mallrave”, tha Nano.

“Është kënaqësi e madhe të nënshkruajmë sot Urdhrin e Përbashkët për bashkëpunim mes autoriteteve doganore dhe autoriteteve të Policisë, si shprehje e vullnetit për të bashkërenduar veprimtarinë tonë, mbështetur në Kodin Doganor dhe ligjin “Për Kontrollin Kufitar”. Objektivi kryesor i Urdhrit është themelimi i bashkëpunimit dhe forcimi i mbikëqyrjes, si dhe kontrolli gjatë procedurave të hyrje-daljeve të shtetasve dhe mjeteve shqiptare dhe të huaja në Pikat Doganore të Kalimit Kufitar”, deklaroi Gazheli.

Zbatimi i procedurave që parashikon Urdhri i Përbashkët do të monitorohet në mënyrë të integruar nga të dyja autoritetet nënshkruese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb