Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka bërë të ditur se helikopteri i MPB-së së Serbisë, i cili me patriarkun serb Porfirije ka hyrë në Mal të Zi më 3 gusht për të nënshkruar një marrëveshje, nuk ka kërkuar leje për të hyrë në këtë vend.

“Ju informojmë se me datën 3 gusht, si dhe pesë ditë pune para kësaj date, kjo Ministri nuk ka pranuar kërkesë për miratimin e fluturimit përmes hapësirës ajrore dhe uljen në territorin e Malit të Zi të helikopterit të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë nga Ambasada e Republikës së Serbisë në Podgoricë”, ka deklaruar sekretari shtetëror Ljubomir Mishurovic.

Sipas mediave në Mal të Zi, ai këtë e tha në përgjigje ku është kërkuar informacion nëse fluturimi me helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ishte njoftuar përmes kanaleve diplomatike tek autoritetet shtetërore të Malit të Zi dhe nëse MPJ e ka aprovuar atë fluturim.

1660056673 87f0f24b8ef9166aad95f3a14d4082b5 I 960x600
1660056673 87f0f24b8ef9166aad95f3a14d4082b5 I 960×600

Edhe nga “adresa” të tjera është pretenduar se helikopteri i MPB-së së Serbisë ka zbritur pa leje në terrenin stërvitor të kampit policor në Zllaticë.

Madje, për një arsye të tillë, kreu i policisë kufitare, Vasko Akovic, kishte dhënë dorëheqjen nga ajo detyrë.

Policia, nga ana tjetër, pretendon se delegacioni i Kishës Ortodokse Serbe, i udhëhequr nga Patriarku Porfirije, ka hyrë në Mal të Zi në përputhje me dispozitat e Ligjit për kontrollin kufitar.

Sipas mediave në Mal të Zi, patriarku serb Porfirije ka hyrë në Mal të Zi pa u kontrolluar dhe pa u evidentuar.
Këtë informacion e ka komentuar edhe kryetari i Komitetit Malazez të Helsinkit, Miodrag Vllahovic, i cili ka shprehur respektin e tij për Akovicin për atë vendim.

“Kreu rajonal i policisë kufitare, Vasko Akovic, ka dhënë sot dorëheqjen nga ajo pozitë për shkak se Patriarku i Kishës së Serbisë, Porfirije Peric, ka hyrë dhe ka dalë në Mal të Zi me të gjithë delegacionin pa asnjë kontroll dhe regjistrim. Respekt i madh për këtë njeri”, ka shkruar Vlahovic në Twitter.

Dorëheqjen e Akovicit e ka bërë të ditur në rrjetet sociale edhe motra e tij.
“Vëllai im Vasko Akovic dha dorëheqjen sot sepse kolegët e tij, shef i të cilëve ai ishte, punonin pas shpine dhe organizuan hyrjen e paligjshme të patriarkut në Mal të Zi pa procedurë zyrtare”, ka thënë Marina Akovic.

Screenshot 4 9 780x439
Screenshot 4 9 780×439

Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi është nënshkruar marrëveshja Themelore ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe në Podgoricë.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic dhe kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb