Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas akuzave që kryetari i Partisë Demokratike bëri në lidhje me fishat e diabetit për fëmijët.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, duke filluar nga janari i këtij viti fishat për fëmijët diabetikë, për herë të parë rimbursohen falas.

“Qeveria shqiptare miratoi, për herë të parë, këtë vendim të rëndësishëm. Rreth 1500 fëmijë të moshës 0-18 vjeç, brenda muajit Janar, do të marrin FALAS Fishat e Diabetit. Me këtë vendim, Qeveria shqiptare merr përsipër rimbursimin e  2 milion e 190 mijë fishave në vit. Jo vetëm kaq, por do të garantohen edhe aparatet e glicemisë falas, si dhe gjilpërat falas, për fëmijët diabetikë. Fondi i vënë në dispozicion, nga Qeveria Shqiptare, për rimbursimin e fishave të diabetit, është 43.8 milion lekë,” shkruhet në reagim

Reagimi i plotë

“Duke filluar nga Janari 2018, fishat për fëmijët diabetikë, për herë të parë rimbursohen falas! Me një VKM të posaçme, në datën 29.12.2017 , Qeveria shqiptare miratoi, për herë të parë, këtë vendim të rëndësishëm. Rreth 1500 fëmijë të moshës 0-18 vjeç, brenda muajit Janar, do të marrin FALAS Fishat e Diabetit. Me këtë vendim, Qeveria shqiptare merr përsipër rimbursimin e  2 milion e 190 mijë fishave në vit. Jo vetëm kaq, por do të garantohen edhe aparatet e glicemisë falas, si dhe gjilpërat falas, për fëmijët diabetikë. Fondi i vënë në dispozicion, nga Qeveria Shqiptare, për rimbursimin e fishave të diabetit, është 43.8 milion lekë.

Sigurisht që kemi ende shumë për të bërë për shëndetësinë që meritojnë qytetarët shqiptarë. Por askush nuk vë në dyshim, që ndryshimet në këto katër vite janë si nata me ditën. Këtë e di çdo shqiptar i pasiguruar, që deri dje paguante për barnat e rimbursueshme, ndërsa sot, 600 mijë qytetarë të pasiguruar përfitojnë nga lista e barnave me rimbursim, dhe çdo shërbim tjetër shëndetësor.

Lista e barnave të rimbursueshme për të cilën “bërtet” Partia Demokratike, në  katër vite u shtua me 140 barna të reja, të cilat përfitohen falas nga qytetarët, qofshin këta të siguruar ose jo.

Partia Demokratike “bërtet” për diagnostikimin dhe trajtimin e grave me sëmundje tumorale. Çdo grua 40-50 vjeç, nga veriu në jug, që deri dje nuk kishte mundësi të kryente diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, sot e ka këtë mundësi ta kryejë falas jo vetëm në spitalet rajonale, por kudo në Shqipëri, përmes mamografëve të lëvizshëm.

Ne po ofrojmë kontrollin parandalues për kancerin e gjirit, duke mundësuar rreth 5 mijë ekzaminime mamografike falas në vit, në zona urbane periferike dhe rurale dhe për herë të parë, përgjigjet lexohen në kohë reale, duke mundësuar diagnostikimin në kohë të sëmundjes.

A ka ende për të bërë për trajtimin e duhur të pacientëve me tumore? Sigurisht që po! Por jemi ku e ku, në krahasim me kohën kur trajtimi i tyre bëhej me një aparaturë të vjetër kobalti, e cila më shumë ishte jashtë funksionit se në punë. Sot, ne u ofrojmë qytetarëve një shërbim modern të Radioterapisë, përmes akseleratorit linear në spitalin Onkologjik, të cilit këtë vit i është shtuar një tjetër akselerator linear, duke rritur cilësinë e trajtimit me radioterapi.

Ne e dimë që kemi ende shumë për të bërë, por lajmi i mirë është miratimi pak ditë më parë i paketës së re të radioterapisë, e cila do të ofrohet falas në spitalet publike dhe jopublike, duke i dhënë zgjidhjen përfundimtare trajtimit të sëmundjeve tumorale,” shkruhet në njoftim.

Kemi ende shumë për të bërë për shëndetësinë që duam, por ndryshe nga Partia Demokratike, e cila nuk di tjetër veçse të gënjejë, ne e kemi nisur vitin me tre vendime të rëndësishme, të cilët kanë një impakt të drejtpërdrejtë për qytetarët: Rimbursimin e fishave të diabetit për fëmijët 0-18 vjeç, si dhe ofrimin falas të paketës së radioterapisë dhe paketës së kataraktës për ndërhyrjet në sy, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike, për të ofruar më shumë shërbime falas për qytetarët, në rrugën drejt shëndetësisë që duam.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: