TIRANË

“Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset dhe sipërmarrjet në Shqipëri do të paguajnë afërsisht 2000 euro në vit shtesë”.

Kështu deklaron ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku sa i përket fiskalizimit duke theksuar se “kjo kosto ekstra për bizneset e rrënuara nga kriza dhe pandemia, është ‘dhurata’ e re e Edi Ramës për klientët e tij dhe i ka kushtuar xhepave të shqiptarëve 16 milionë euro”.

Në një postim në “Facebook”, ajo shkruan se bizneset e mesme dhe të vogla do të rëndohen dhe më tej për të paguar këtë koncesion të ri, dhënë një kompanie kroate si qokë personale e Ramës dhe që do të paguhet nga xhepat e shqiptarëve.

“Fiskalizimi përfshin një shtesë të kostove të internetit me mesatarisht 130 euro në vit, ndërkohë që vlera e përditësimit të sistemeve financiare shkon mesatarisht deri në 500 euro në vit nëse biznesi zotëron një llogari (pra një të punësuar apo vetëpunësuar).

Të gjitha këto përllogaritje kryhen pa pasur parasysh çmimet që do të ofrojnë kompanitë që do të merren me programin e fiskalizimit. Por burimet nga sipërmarrjet që kanë kryer disa llogari personale flasin për një kosto të faturave të fiskalizimit që shkojnë mbi 650 euro deri në 1626 euro/vit”, shkruan Tabaku.

Ajo e cilëson gënjeshtër premtimin e Ramës se nga janari bizneset e vogla s’do paguajnë asnjë taksë.

“Shkurt dhe qartë, gënjeshtrën e Ramës se që nga janari 2021 bizneset e vogla nuk do të paguajnë asnjë taksë e nxjerr zbuluar taksa e fshehur e fiskalizimit, përveç taksave dhe tarifave lokale te 10-fishuara. Një barrë e re fiskale që i vendoset padrejtësisht nga dy herë bizneseve të vogla, bizneseve të mesme dhe natyrisht dhe bizneseve të mëdha.

Boll më me gënjeshtra! Boll më me sjellje arrogante që vetëm i marrin frymën biznesit sidomos në këto kohë pandemie.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për frymëmarrje, për një ekonomi tregu, për incentiva karshi sipërmarrjes. Ne do të ndahemi një herë e mirë nga keqqeverisja dhe abuzimi me taksat e shqiptarëve”, deklaron Tabaku.

Tabaku Fb
Tabaku Fb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb