Kolegë e miq kanë ndarë sot kujtimet më të bukura apo mbresat e tyre për Edi Luarasin, artisten shqiptare që u nda nga jeta ditën e djeshme pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 81-vjeçare. Raimonda Bulku është një prej tyre. Aktorja e njohur tregoi se Edi Luarasin e kishte takuar së pari si rrobaqepëse, por se dhe aty e kuptoje që ajo ishte një figurë arti.

“Unë nuk e kam njohur dot në moshë të re. Këta ishin të dënuar, ishin përzënë nga arti, ishin persekutuar, ishin sakatuar. Kur e kam parë për herë të parë, e kam parë që ajo qepte dhe që ishte një figurë e jashtëzakonshme. E kuptoje menjëherë, kudo që ta shihje Edin që ajo ishte një figurë arti, me atë portret aq interesant dhe aq modern dhe në kohën që e kam njohur unë ishte rrobaqepëse, por qepte në mënyrë të shkëlqyer. Edhe aty ishte një artiste. Mbajti në kurriz një barrë të jashtëzakonshme, të dhimbshme. Çfarë bëri Mihallaqi? Kjo është një histori tjetër që është shumë e dhimbshme”, tha Bulku.

Ajo rrëfeu se një ditë, pas rikthimit të saj në skenë, në vitet ’90 kishte shkuar në teatër dhe iu kishte treguar se kishte takuar hetuesin e saj, por vetëm e kishte parë pa treguar asnjë shenjë agresiviteti. Bulku deklaron se Edi kishte një fisnikëri të jashtëzakonshme.

“Pas viteve ’90 kam punuar me Edin, e kam pasur kolege, kemi punuar në shfaqjet e Mihallaqit, kemi qenë bashkë në punë, artistë të mrekullueshëm. Të kulturuar, të talentuar. Edi ishte e kundërta e Mihallaqit, në qoftë se ai ishte burrë që donte të bënte vetëm filozofi, Edi ishte që donte vetëm të ishte e hareshme, të sillte gëzim. Kishte një optimizëm brenda vetes së saj, edhe në punë, edhe në jetë sa thoshe sa bukur e ka dhe sa bukuri në shpirtin e saj prej artisti. Vjen njëherë në teatër dhe thotë, jam gjendur njëherë përballë hetuesit, hetuesit të saj që ajo e di se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ne të gjithë thamë çfarë i bëre, i re ndonjë shpullë, apo ku di unë, ndonjë grusht apo e shave? Dhe Edi tha jo, s’munda, e pashë, e pashë dhe ika. Kjo ishte Edi, fisnikëria e Edit ishte e jashtëzakonshme, kalonte masat e një njeriu normal”, tregoi ajo.

Për Raimonda Bulku edhe sot, Edi i ngjante një prej personazheve të saj.

“Ajo punoi dhe erdhi fuqishëm dhe pas ’90. Edhe sot sa e pashë thashë uau kjo është ‘Dama plakë’, (titulli i një prej teatrove ku ka luajtur). Nëse keni parasysh shfaqjen e Gëzim Kames, sepse ai e risolli për Edi Luarasin atë shfaqje, ajo është tani sot ajo ashtu e shtrirë, në atë madhështinë e vet, pa urrejtje, ajo është e mirë dhe tani.

Edi ishte e para nga këto lloj garash që nuk braktisi burrin, nuk braktisi asgjë, por iu nënshtrua dënimit të familjes së saj, rriti dy fëmijë të mrekullueshëm dhe nuk foli kurrë keq dhe ishte një grua që thoshte gjithmonë duhet të shohim përpara, asnjëherë mos kthe kokën pas”, u shpreh aktorja Raimonda Bulku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb