Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të hënë, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fiter Bajramin.

Atmosfera ka qenë festive ngado, e në çdo shesh, pas lutjeve e faljes, kanë nisur edhe urimet.

DURRES
Pas një muaji agjërim, lutje, adhurime, besimtarët myslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin.
Dhjetëra besimtarë kanë marrë pjesë në ceremoninë e faljes së namazit të Fitër Bajramit në qytetin e Durrësit, që këtë vit u shoqërua edhe nga reshjet e shiut.

Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, në qytetin bregdetar ka nisur në 6:20 të mëngjesit, kur dhjetëra besimtarë myslimanë falin namazin, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë besimtarët shqiptarë. Të gjithë besimtarët, së bashku me familjet mblidhen në drekën e madhe të Fitër Bajramit që simbolizon mbylljen e muajit të sakrificës.

FIER
Që në orët e para të mëngjesit besimtarët kanë falur Namazin ne xhaminë e qytetit të Fierit, ndërsa kreu e Myftinisë Fier ka përcjellë urimet për mirësi dhe harmoni.
Namazi u fal ne orën 06:20 minuta, ndërsa këtë vit është vënë re prani e madhe e besimtarëve.

Mesazhet për më shumë paqe dhe respekt ndaj njeri-tjetrit ishin kryefjala e kësaj feste, ndër më të rëndësishmet në kalendarin e fesë Islame.

BERAT
Ndryshe nga vitet e mëparshme kur falja e Fiter Bajramit është kryer nga besimtarët mysliman në Pedonalen e qytetit të Beratit, moti u keq bëri që këtë vit falja të kryhet në Xhaminë Mbret. Pas Ilahive dhe Ligjeratave, falja e Namazit të Bajramit filloi në orën 06:30 të mëngjesit dhe u krye paralelisht brenda dhe në oborrin e jashtëm të xhamisë Mbret. Ka qenë Imami Ferbent Durra, i shoqëruar nga ish Myftiu i Beratit Qeramudin Furdia, ai që duke uruar besimtarët mysliman për më shumë mirësi, paqe e begati, ka kryer faljen namazit për besimtarët myslimanë beratas.

“Sot është një ditë e bekuar, një ditë e madhe gëzimi. Allahu fuqiplotë na bëri të përjetojmë madhështinë e Ramazanit dhe të gjithë ne u bekuam në agjërim dhe lutje. Ramazani erdhi tek ne për të na treguar një tjetër model, sesi duhet të jetë besimtari në raport me Zotin, me veten e tij dhe me të tjerët. Le të fillojmë këtë Bajram të mendojmë për përmirësimin tonë, për kthimin tonë drejt rrugës së drejtë. Mbarimi i Ramazamin nuk nënkupton mbarimin e veprave të mira, pasi bujaria e besimtarit mysliman nuk duhet të shterojë asnjëherë”, -është shprehur Imami Ferbent Durra.

ELBASAN
Rreth 3 mijë besimtarë falën Fiter Bajramin në sheshim ‘Gensher’ në Elbasan. Myftiu i Elbasanit Agim Duka përshëndeti besimtarët e pranishëm në Faljen e Fiter Bajramit dhe uroi për më shumë Paqe e Begati në çdo familje shqiptare. Myftiu Duka u shpreh para besimtarëve se gjatë Muajit të Ramazanit e kemi lutur Zotin e Lartësuar që sot në ditën e madhe të Fiter Bajramit të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më kontribues. Ky muaj tha Myftiu i Elbasanit ka qenë edhe muaji i lutjeve tona për të gjithë myslimanët në botë dhe jo vetëm për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

KORÇA
Në qytetin e Korçës, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, qindra besimtare myslimanë mëngjesin e sotëm, u mblodhën për të falur namazin e festës së shenjtë të Fiter Bajramit. Ceremonia ka nisur rreth orës 06:20 minuta në sheshin e xhamisë, Iljaz Bej Mirahori, ndërsa riti i faljes së Fiter Bajramit u drejtua nga myftiu i Korcës Ledian Cikalleshi i cili në këtë ditë të shenjtë uroi të gjithë besimtarët.

LEZHË
Pasi kane përmbyllur 30 dite agjërim të muajit të ramazanit, besimtaret mysliman në Lezhë kanë festuar festen e Fiter Bajramit. Falja e namazit është kryer në orët e para të mëngjesit në xhaminë e qytetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: