Thuajse të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë, u tejmbushën këtë të enjte, nga qindra besimtarë myslimanë, të cilët falën Fiter Bajramin.

Atmosfera ka qenë festive ngado, e në çdo shesh, pas lutjeve e faljes, kanë nisur edhe urimet. Në Elbasan, falja është zhvilluar në sheshin “Gensher”, para kalasë historike të qytetit.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, në një prononcim për gazetarin e “News 24”, Fatmir Popja, i ka uruar festën të gjithë besimtarëve, si dhe, ka treguar vështirësitë që janë ndeshur, sidomos nga prezenca e COVID-19 në vend.

“E kemi lutur Zotin e Lartësuar në këtë muaj që sot në ditën e madhe të Fiter Bajramit të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më kontribuues tha Myftiu i Elbasanit .Ky muaj ka qenë edhe muaji i lutjeve tona për të gjithë myslimanët në botë për integritetin e tyre fizik dhe shpirtëror. Lutjet tona këtë muaj kanë qenë për të gjitha viktimat e Covid-19 dhe për familjarët e tyre.

Lutjet tona kanë qenë edhe do të jenë për të gjithë njerëzimin për paqe, qetësi shëndet dhe begati. Lutjet tona kanë qenë dhe do të jenë për të gjithë ata që punojnë, predikojnë, edukojnë dhe mbështesin luftën kundër Covid-19,këtij armiku të padukshëm që po vazhdon të marrë jetë njerëzish në të gjithë botën. Njerëzimi do ta fitojë edhe këtë betejë ndaj të keqes.

Ne lutemi që kjo fitore të jetë sa më e afërt. Urojmë që si kjo Ditë e Shenjtë sikurse është Fiter Bajrami të jetë çdo ditë për të gjithë. Gëzoni e festoni por duke respektuar rregullat për të shmangur çdo rrezik të përhapjes së Covid 19!”, tha Duka.

Durrësi është një tjetër qytet, që në orët e para të mëngjesit të sotëm, mirëpriti në mijëra qytetarë. Gazetarja Klodiana Haxhia, raporton për “BalkanWeb”, se besimtarët kanë mbushur ambientet përreth xhamisë, si brenda e jashtë saj. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë ka nisur në 6:00 të mëngjesit. Pas ceremonisë së drejtuar nga Imami i xhamisë, besimtarët kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njërit-tjetrit, duke uruar mbarësi dhe begati për të gjithë.

Falja e besimtarëve në qytetin Beratit u realizua në pedonalen e qytetit. Sapo ora ka shënuar 6:30, në Pedonalen e qytetit ka nisur falja e madhe e kësaj dite mjaft të rëndësishëm për besimtarët myslimanë, që u falën për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre. Falja e madhe është ndjekur edhe nga dhjetëra qytetarë beratas që nuk i përkasin këtij besimi fetar, raporton gazetarja Eneida Petova për “BalkanWeb”. Ceremonia e faljes se bajramit u drejtua nga Myftiu i Beratit, Baftjar Këllezi.

Myftiu Këllezi e ka cilësuar ditën e sotme një ditë të veçantë për të gjithë besimtarët myslimanë, që sot jo vetëm festojnë në familje Bajramin por edhe ndihmojnë jetimët e njerëzit në nevojë. Këllezi ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga zoti me më shumë begati e shëndet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: