TIRANË- Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë sot, festën e Fiter Bajramit. Fiter Bajrami vjen pas muajit të madhërishëm, të sakrificës, atij të Ramazanit.

Fiter Bajrami është një ditë feste e gëzimi për myslimanët dhe solidarizimi me të varfrit, e para faljes së kësaj dite, besimtarët shpërndajnë të mira materiale e dashuri edhe me të pamundurit, për ta festuar së bashku këtë festë.

Falja e Namazit të Fiter Bajramit ka bërë bashkë me mijëra besimtarë myslimanë, shumica të rinj, që edhe këtë vit kanë tejmbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Rituali i lutjes së shenjtë të Bajramit të Madh, i dyti për nga rëndësia për botën islame, ka nisur në orën 6 të mëngjesit dhe është drejtuar për herë të parë nga imami i Xhamisë së Qabes, xhamia më e rëndësishme për myslimanët.

Në fjalën e mbajtur para mijëra besimtarëve shqiptarë të mbledhur në shesh imami i xhamisë së shenjtë të Mekës Shejh Salih Bin Talib i bëri thirrje çdo myslimani të distancohet nga elementë turbullues që kërkojnë ta dëmtojnë islamin.

Lutje për më shumë paqe mirësi dhe vëllazëri me më të varfrit janë përcjellë nga kreu i komunitetit mysliman të Shqipërisë Skënder Brucaj si dhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ajo që mund të cilësohet si një traditë e krijuar nga halli, falja e namazit të Bajramit në rrugë duket se do të marrë fund me përfundimin e xhamisë së madhe të Tiranës që për numrin dy të komunitetit mysliman Ali Zaimi me shumë gjasë do të jetë gati brenda dy Bajramesh.

Edhe këtë vit nuk ka munguar në rreshtin e parë të besimtarëve kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ndërsa pak më tutje ka falur mëngjesin e Bajramit edhe heroi i mbrojtjes kuq e zi Mërgim Mavraj.

Ata që i gëzohen më së shumti festës së bajramit janë besimtarët praktikantë që si çdo vit i janë nënshtruar me bindje sakrificës së agjërimit për 30 ditë, por që në ndryshim nga vitet e tjerë ramazani i këtij viti ka qenë nga më të vështirët, afër 18 orë agjërim në temperatura mbi 35 gradë celcius.

Pa urim në këtë Bajram nuk kanë dalë as politikanët që në tilla ngjarje më të mëdha duhet mësojnë e të kthejnë sytë nga populli.

Stafi i Balkanweb, News24, Radio Rash i urojnë të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë por edhe jashtë saj, gëzuar festën e Fiter Bajramit, Zoti i pranoftë lutjet tuaja!

Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, uroi dje besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.

“Ditën e Fiter Bajramit duhet ta shohim si ditën e shpresës, vëllazërisë dhe solidaritetit. Ne po e përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën tonë. Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Ky muaj i madhërueshëm na mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve”, shprehet Bruçaj.

Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, vijon Bruçaj, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë.

“Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Më lejoni së fundmi në këto çaste të gëzuara të festës së Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t’ju përcjell mesazhet e mia më të sinqerta për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo moment të jetës suaj. Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën. Zoti e begatoftë Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët”, përfundon urimi i kreut të KMSH-së, Skënder Bruçaj.

Nesër myslimanët në të gjithë botën do të kremtojnë festën e Fiter Bajramit, e cila shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

PROGRAMI I BAJRAMIT
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se namazi i Fitër Bajramit 2016, ditën e mart, 05 korrik 2015, do të falet në orën 06:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit, Tiranë.

Në këtë ditë të veçantë na nderon me vizitën e tij, Imami i Xhamisë së Shenjtë në Mekë, Qabes, Shejh Salih Bin Talib, i cili vjen në Tiranë me ftesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e festës së Fitër Bajramit, ku do të mbajë një ligjëratë për të pranishmit si dhe do të falë namazin e kësaj dite të shënuar. Imami Talib, përveç faljes së namazit të bajramit, do të falë edhe namazin e sabahut.

PROGRAMI I PLOTË I FITËR BAJRAMIT 2016
04:30 – NAMAZI I SABAHUT (FALJA)
04:45 – KURAN
5:30 – HAPJA
5:35 – LEXIM KURANI – IMAMI I XHAMISË SË ETHEM BEUT, ELTON KARAJ.
5:40 – FJALA E KRYETARIT TË KMSH-së, SKENDER BRUÇAJ.
5:45- LIGJËRATË – IMAMI I QABES, SHEJH SALIH BIN TALIB.
06:00 – FALJA NE NAMZIT TË BAJRAMIT
06:10 – HYTBEJA E BAJRAMIT – MYFTIU I TIRANËS, YLLI GURRA
06:20 – ILAHI

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: