Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra ka fituar sot me shifrat 5-0 ndaj Armenisë në kualifikueset e Botërorit dhe ka arritur të vendosë një rekord të ri në historinë e saj.

Kjo është fitorja më e thellë në ndeshje zyrtare në historinë e përfaqësueses shqiptare që kur ka filluar të marrë pjesë në garat kualifikuese në FIFA dhe UEFA, duke konfirmuar se ka bërë hapa para në shumë drejtime, edhe pse mbetet ende jashtë standardeve të kërkuara për kualifikimin në fazën finale të një turneu madhor.

Shqipëria dominoi plotësisht sfidën e sotme, duke shënuar me lehtësi që në pjesën e parë tri herë. Ishte Doçi që hapi serinë e golave e më pas Hamidi dyfishoi shifrat po me sugjerim të sulmueses së Vllaznisë. Në fund të këtij fraksioni loje, një tjetër aksion i Doçit solli edhe golin e tretë të finalizuar nga kapitenia e skuadrës kuqezi, e cila ishte në një formë të shkëlqyer.

Ajo dha asistin edhe për golin e dytë personal të Hamidit në pjesën e dytë, ndërsa në fund, ishte protagoniste edhe në akslonin që solli golin e Lufos, i cili vulosi shifrat në 5-0, duke sjellë fitoren e parë në këto eliminatore për Shqipërinë dhe më të thellën në historinë e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb