Asnjë fitore në 4 ndeshjet e fundit, vetëm 2 pikë në këtë vit, janë shifra që nuk i shkojnë përshtat një ekipi që synon titullin kampion. Partizani e ka të vështirë të reagojë, shifrat flasin për krizë, por trajneri Colella nuk e sheh në këtë mënyrë.

Trajneri i demave befasoi jo pak pas blofit të radhës, barazimi kundër Egnatias në sytë e italianit është një hap pozitiv përpara. Thuajse në asnjë rast gjatë këtij sezoni, edhe kur ishin 4 pikë përpara Tiranës, Colella nuk foli kurrë për titull, por e bëri diçka të tillë pas sfidës kundër Egnatias:

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen, shpresoj që skuadra ta shohë si një hap pozitiv dhe jam i bindur se nëse ekipi bindet për këtë gjë dhe paraqitjet do të jenë kështu, do të jemi edhe ne në garë për të fituar kampionatin,” u shpreh trajneri i Partizanit.

Kjo deklaratë, apo sjelljet e trajnerit, nuk janë pritur mirë nga ambienti në shtëpinë e kuqe, ish lojtarë, tifozë etj, janë kundër tij, por ky fakt nuk shqetëson drejtuesit e klubit, të paktën për momentin pasi italiani dhe ekipi janë ende brenda objektivave, fundja kreu është vetëm 3 pikë larg.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb