Ish-deputetja e PS, sot biznesmene e suksesshme në SHBA, Rudina Seseri në një lidhje live për rubrikën ”Opinion” në News24 ka komentuar zgjedhjet presidenciale amerikane që çuan në fitoren e Joe Biden.

Seseri thotë se për rezultatin s’ka pikëpyetje se kush fitoi, teksa e konsideron fitoren e Biden si një ndryshim të mirëpritur dhe pozitiv për qytetarët.

Për të, me administratën e Trump SHBA u kthye shumë vite mbrapa teksa për Presidentin aktual në detyrë thotë se po e çon në Gjykatë çështjen e zgjedhjeve pasi thjesht do një ikje të butë dhe do të bindë mbështetësit e tij se nuk humbi vërtet.

”Në pikëmpamjen time si qytetare dhe pjesëmarrëse në jetën amerikane është ndryshim pozitiv, i mirëpritur. 4 vitet e fundit ishin vite turbulente, me shumë kthesa në aspektin social, mjedisin dhe në përgjithësi SHBA u kthye shumë vite mbrapa për shkak të punëve negative të administratës Trump.
Në ditët e para të zgjedhjeve, çfarë ishte e pazakontë në Amerikë ishte elementi i COVID-19, pasi shumë njerëz preferuan mos votonin. Procesi i numërimit hëngri shumë më shumë kohë, jemi mësuar që në mesnatë ose në mëngjes ne e dimë cili është Presidenti i zgjedhur.
Mënyra se si u votua, u nda në vija politike. Votuesit e Trump u inkurajuan në mënyrë proaktive të votonin fizikisht, teksa ata që votuan me logjikë votuan me postë.

Votat e Trump u numëruan të parat, fizike, teksa në vijim ishin ato që u lexuan më vonë.
Nuk mendoj se ka pikëpyetje kush ka fituar. Diferenca është gati 5 milion vota. është mëse e qartë që Biden-Harris janë Presidenti dhe Zv.Presidentja e zgjedhur. është histori e mbyllur. Trump do një dalje të butë, të bindë njerëzit se nuk humbi vërtet.
Realiteti është që në 2 muajt e ardhshëm do ketë turbulencë, por në janar betohen Presidenti dhe Zv.Presidentja.
Më lejoni të them pse ka pasur një ndjekje shumë të fortë Trump, sepse është mjaft i ndjekur. Mori 70 milionë vota, më shumë se në zgjedhjet e para megjithësi humbi. Ka pasur një pjesëmarrje të madhe. Gjëja më pozitive që ka bërë Trump ishte ajo me Kinën. Ajo i dha një shtysë në atë pikë. Gjëja tjetër është që për masat që punojnë 2-3 punë, dhe s’janë më mirë ekonomikisht, i bëri apel nevojës së tyre.

Ndërkohë Trump ka qenë një demotivuez, ku diskriminimi ka qenë masiv, inkurajoi polemikat mes grupëve, e ndau shoqërinë në ekstreme. Gjithashtu si nëna e një fëmije dhe vajzë, me ardhjen e Biden është një marrje fryme, si dhe me Kamala Harris që është gruaja e parë zv.presidente, nga India dhe me ngjyrë.
Nuk do të rimëkëmbet ekonomia nëse nuk kontrollohet pandemia. Vendosja e maskave u politizua. Jetoj në Massachusetts, ishte shteti i tretë në fillim për nga numri i të infektuarve dhe viktimave. Ka shumë trafik ndërkombëtar.
Dje e lajmëruan se kush është grupi i këshilltarëve për pandeminë e COVID-19, jetët e njerëzve dhe ekonomia. Me ardhjen e Biden do ketë ndonjë stimulues të shëndetshëm për ekonominë. Mendoj se me ardhjen e Biden shtetet do operojnë me pavarësi, por do ketë koordinim federal. ”- tha Seseri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb