Nga: ANASTAS ANGJELI*

Kur flasim për terrorizmin ndërkombëtar dhe krimin e organizuar e pasojat e tij, të gjithë njëzëri kemi pranuar se ai përbën një sfi dë të re, ndoshta më të sofistikuarën, më shkatërruesen dhe më vdekjeprurësen me të cilën bota e qytetëruar është ndeshur ndonjëherë. Zhvillimet aktuale, veprimet terroriste e kriminale të ndodhura kohët e fundit dhe roli i ISIS në to, janë dëshmi e faktit se terrorizmi me fytyrën e tij të padukshme, përpiqet të kthehet në një protagonist të këtij shekulli, duke kërkuar të vërë në presion jetën e përditshme të miliona banorëve të globit tonë. Për secilin nga ne është e qartë se terrorizimi e ka ndryshuar mjedisin tonë të sigurisë, duke e rrezikuar gjithnjë e më shumë atë, por në të njëjtën kohë ai ka shtruar nevojën për forcimin e bashkëpunimit. Dëshmi e këtij bashkëpunimi janë të gjitha nismat e fundit ndërkombëtare e rajonale si dhe takimet e fundit, si ai i Samitit Kundër Terrorizmit të organizuar nga Presidenti Obama, Forumi VI i Sigurisë në Marrakech (Security Forum þ- Africa SEC 2015), apo edhe mbledhja e fundit në Tiranë e përfaqësuesve të SEECP, ku u nënshkrua edhe një deklaratë e përbashkët kundër terrorizmit, si dhe Konferenca e Përbashkët e Ministrave të Jashtëm e të Brendshëm të Evropës Juglindore, të zhvilluar në Vjenë më 20 mars.
TERRORIZMI DHE KRIMI I ORGANIZUAR NDERKOMBETAR
Gjatë periudhës së luftës së ftohtë, në një botë që ende nuk ishte përshkuar nga tendenca e globalizimit, kërcënimet ndaj sigurisë ishin të kufizuara, pasi kufijtë ishin më të kontrolluar, informacioni dhe lëvizja e njerëzve nuk ishin kaq të lehta dhe kaq të shpeshta, ndërsa transferimi i parave ishte në sasi më të pakta. Zhvillimet globale të dekadave të fundit, krahas rritjes së shpejtë të marrëdhënieve ekonomike e tregtare-financiare dhe të investimeve, të lëvizjes së lirë të kapitalit e të njerëzve, janë sofistikuar dhe metodat e shmangies dhe të evazionit fiskal, të spekulimit financiar dhe të pastrimit të parave të pista. Kësisoj, krahas impaktit tepër pozitiv dhe përfitimeve, globalizimi i sotëm është shoqëruar edhe me rreziqe shumë të larta sigurie, duke krijuar hapësirë për terroristët dhe aktivitetet terroriste. Kufijtë janë bërë më të hapur, madje ata po marrin vlerë konvencionale, aksesi mbi informacionin është bërë më i lehtë falë internetit, paratë dhe njerëzit lëvizin me lehtë dhe më shpejt. Por ky rrezik është bërë më i prekshëm dhe serioz sidomos kur bëhet fjalë për armët e shkatërrimit në masë, të cilat, të ndodhura në duart e grupeve dhe subjekteve terroriste, pse jo dhe shteteve të veçanta, shndërrohen në një rrezik global. Është kjo arsyeja që përpjekjet dhe fryma e re e bashkëpunimit në mes të pjesës më të madhe të botës ndeshet tashmë me një armik të përbashkët, me një armik që nuk respekton asnjë prej vlerave të reja të krijuara, armik që në bazë të luftës së tij ka shkatërrimin e egër të vlerave dhe zhdukjen e njerëzve të pafajshëm. Terrorizmi me fytyrën e vet të padukshme përpiqet që të kthehet në një protagonist të këtij shekulli, duke kërkuar të vërë nën presion jetën e përditshme të miliona banorëve të tokës. Tashmë të gjithë po priren nga një përpjekje të përgjithshme për të mbrojtur jetën e njerëzve e të familjeve tona, të lirisë sonë, nga njerëz që nuk duan ta lejojnë një gjë të tillë. Por ky terrorizëm, i veshur me ide nga më të ndryshmet në emër të “idealeve të shenjta” për popujt po sulmon pikërisht këto ideale, duke kaluar me dhunë në anën e së keqes, në anën e mbrapshtë. Asnjëri nga ne nuk do të dëshironte që pranë shtëpisë, punës apo vendit të argëtimit të tij të përditshëm të mos ndihej i sigurt vetëm sepse dikujt nuk i pëlqen kështu. Asnjë nuk do të dëshironte që para syve të tyre të shkatërroheshin gjërat më të shtrenjta për të cilat ai ka besuar. Është pikërisht ky besim që na detyron të jemi në një krah të distancuar për diskutim, pa asnjë mëdyshje se në cilën anë jemi dhe duhet të vazhdojmë të jemi. Ne jemi me të gjithë ata që kërkojnë dhe do të arrijnë fitoren e luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, përballimin me sukses të kësaj sfide të kohës, për të shkulur terrorizmin dhe rrënjët kudo përreth globit. Siç është shprehur edhe presidenti Obama, lufta kundër terrorizmit kërkon kohë dhe është diçka që komuniteti ndërkombëtar duhet ta bëjë së bashku. Kjo sfidë nuk u përket vetëm SHBA-ve apo ndonjë shteti tjetër të fuqishëm, por është një sfidë e përbashkët dhe që kërkon angazhim dhe zgjidhje të përbashkët.
TERRORIZMI DHE LIDHJET ME KRIMIN EKONOMIK DHE FINANCIAR
Pabarazia ekonomike dhe varfëria, situatat e konflikteve të armatosura, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe trafiqet e paligjshme, shkeljet e të drejtave të njeriut etj., janë disa nga sfidat që shërbejnë si një terren i përshtatshëm për lindjen dhe zhvillimin e elementëve terroristë. Ato kërkojnë jo vetëm angazhimin e të gjitha vendeve për parandalimin e tyre, por edhe një koordinim më efikas të veprimeve dhe përpjekjeve të të gjitha organizatave ndërkombëtare të lidhura me çështjet e sigurisë. Në të kundërtën, ato shumë lehtë mund të kthehen në një gangrenë, e cila mund të paralizojë dhe minojë stabilitetin ndërkombëtar dhe zhvillimin. Rrënjët e terrorizmit dhe të krimit të organizuar janë të lidhura ngushtë më dukurinë politiko-shoqërore të përhapjes në masë të armëve bërthamore dhe biologjike, të shfarosjes së njerëzimit në vendet ku sundojnë regjimet diktatoriale, veçanërisht, në periudhën pas përfundimit të luftës së ftohtë e të përmbysjes së komunizmit.
Terrorizmi dhe krimi i organizuar, natyrisht, ka edhe bazën e vet ekonomiko-financiare. Kjo kryesisht në dukurinë e kontrabandës, në trafiqet ilegale, drogën, pastrimin e parave të pista, evazionin fiskal, zhvillimet e ekonomisë informale etj., që janë përhapur sidomos në vendet ku nuk funksionon shteti ligjor, ku vepron gjerësisht fenomeni i korrupsionit në organet e drejtësisë dhe të administratës publike, ku renditen edhe vendet e Ballkanit.
Ekonomia informale dhe evazioni fiskal shpesh shërbejnë si mbështetje e krimit ndërkombëtar. Prandaj, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar duhet të jetë një luftë shumëplanëshe, duke u drejtuar kundër të gjitha formave dhe kudo që ai shfaqet. Kjo luftë duhet bërë nga themelet, nga rrënjët, në zhvillim dhe në të gjitha lidhjet e saj, si në lidhjen dhe përhapjen e saj si dukuri politiko-shoqërore, ashtu edhe në bazën e vet ekonomiko-financiare. Ajo është dhe mbetet një luftë frontale, fitorja e së cilës, kërkon angazhimin e të gjitha vendeve, për t’u përballuar bashkërisht. Ekonomia informale mund të kategorizohet në dy sektorë. Së pari sektori ilegal, i cili përfshin aktivitetet financiare që lidhen me paratë gri, dhe së dyti sektori kriminal, i cili përfshin aktivitete që lidhen me paratë e pista. Shpeshherë këto dy kategori mbivendosen. Njëherazi, pastrimi i parave, megjithëse jo përgjegjës për shfaqjen e ekonomisë së paligjshme, konsiderohet gjerësisht si forma kryesore e saj. Në mënyrë që të fshehin origjinën e tyre kriminale, kapitalet së pari përfshihen në transaksione financiare përpara se t’i bashkohen ciklit të ligjshëm të biznesit. Prandaj, krimi i organizuar arrin me sukses të legjitimojë kapitalin e tij, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve.
Pastrimi i parave është aspekti financiar i të gjitha krimeve ekonomike. Si aktivitet forcon kriminelët dhe organizatat kriminale dhe u jep atyre mundësinë të vazhdojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm. Ndikon në sistemin ekonomik, gërryen besimin publik në institucionet dhe në sistemin e vlerave. Për më tepër, në epokën moderne të globalizimit dhe teknologjisë, ndikon në lëvizjen e kapitalit financiar, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik global. Një aspekt tjetër i lidhjeve të krimit ndërkombëtar shfaqet ndërmjet krimit ekonomik dhe qendrave financiare offshore të njohura, të cilat funksionojnë në vende të njohura si parajsa fiskale të cilat luajnë një rol thelbësor në zhvillimin e një shpërndarjeje të kapitalit, duke krijuar lidhje komplekse si dhe ndërlidhje që përfshijnë shtetet, kompanitë shumëkombëshe dhe qytetarët e thjeshtë. Që në fillim të viteve 1980, numri i tyre ka ardhur duke u rritur. Pjesa më e madhe e tyre janë ekonomi ishujsh të vegjël në Evropë, SHBA dhe Oqeanin Indian. Krimi i organizuar ekonomik ndërkombëtar përfshin aktivitete të lidhura me krimin ekonomik, prodhimin dhe trafikimin e drogave, trafikimin e qenieve të gjalla, kontrabandën, prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara dhe dokumenteve të falsifikuara, krimin kibernetik, pastrimin e parave etj. Krimi i organizuar ekonomik ndërkombëtar është parakusht i korrupsionit dhe përhapja e tij në rajone problematike rrezikon jo vetëm institucionet rajonale dh sigurinë rajonale, por paraqet rrezik për sigurinë ndërkombëtare në përgjithësi. Krimi i organizuar ekonomik ndërkombëtar është një prej kërcënimeve kryesore ndaj sigurisë ndërkombëtare, si dhe për sigurinë e qytetarëve dhe për themelet e shoqërisë demokratike.
ANGAZHIMET E SHQIPERISE NE LUFTEN KUNDER TERRORIZMIT
Duke e konsideruar terrorizmin ndërkombëtar si një rrezik dhe sfidë ndërkombëtare, Shqipëria e ka trajtuar atë si një problem kompleks: politik, juridik, ushtarak dhe ekonomik e social. Në këtë kuadër ekziston dhe po zbatohet Strategjia Kombëtare në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria ka një kuadër të plotë ligjor bashkëkohor, i cili mundëson kontrollin, hetimin dhe ndëshkimin e akteve terroriste, të aktiviteteve që i mbështesin ato dhe të personave përgjegjës për kryerjen e tyre. I gjithë komuniteti ndërkombëtar e konsideron një objektiv madhor dhe specifik luftën kundër terrorizmit dhe kundër krimit të organizuar. Ky është edhe një angazhim i vendeve të rajonit tonë. Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe i bashkërendimit të punës së organeve ligjzbatuese midis vendeve të rajonit dhe në nivel më të gjerë, përbën një nevojë dhe domosdoshmëri për rezultate më efikase në luftën kundër krimit të organizuar dhe të trafiqeve të paligjshme. Një vend të rëndësishëm duhet të zënë edhe strategjitë e zhvillimit ekonomik kombëtar, sidomos edhe rajonal, me sigurimin edhe të reduktimit të varfërisë, duke adaptuar instrumentet institucionale qeverisëse, mekanizmat ekonomikë e financiarë që ndihmojnë për:
– një qeverisje më të mirë;
– për konsolidimin dhe funksionimin më të mirë të institucioneve demokratike në vend;
– zhvillimin dhe përparimin ekonomik e financiar të vendit;
– forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të administratës publike;
– kufizimin maksimal të korrupsionit, kontrabandës, drogës, evazionit fiskal, të ekonomisë informale;
– luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe trafikimit të qenieve njerëzore;
– luftën pa kompromis kundër korrupsionit.
Veprimi efikas në këtë drejtim shërben njëkohësisht, krahas të tjerave, edhe për kufizimin e burimeve të financimit të akteve terroriste dhe të krimit. Jo më kot, një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: “Papunësia dhe skamja janë nëna e të gjitha të zezave (të këqijave)”. Ato sjellin “varfërimin” shpirtëror dhe moral të njeriut, ato janë bazë e antivlerave që kanë zënë vend në shoqëritë jodemokratike dhe të pacivilizuara. Papunësia, varfëria, mungesa e konsolidimit të shtetit ligjor janë shtysa në rrugën e kultivimit të drogës, të kontrabandës, të evazionit fiskal dhe të korrupsionit. Është fakt i njohur që vendi ynë ka vuajtur shumë nga fenomenet që përmenda më sipër dhe sidomos nga krimi ekonomik i organizuar. Por është përsëri një fakt, që kemi bërë shumë hapa për të përmirësuar situatën. Mund të përmend këtu hapat tejet pozitivë në luftën kundër prodhimit, përpunimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike me operacionet policore në Lazarat dhe në pjesë të tjera problematike të vendit tonë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me luftën kundër drogës në botë, tregon se vendi ynë ka përmirësim të dukshëm në këtë fushë. Gjithashtu, nuk mund të mos quhet pozitiv fakti se Shqipëria nuk gjendet më në listën e vendeve që janë në monitorim për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Shqipëria ka një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë organizmat ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit. Jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në ata rajonal. Deklarata e përbashkët kundër terrorizmit e vendeve anëtare të “South East Europe Cooperation Process”, e miratuar pikërisht në Tiranë, është një shembull i mirë i përkushtimit të vendit tonë në këtë drejtim. Implementimi efikas i drejtorisë së antiterrorit në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit është një tjetër hap i rëndësishëm për ta renditur vendin tonë përkrah shteteve që kanë si prioritet luftën ndaj terrorizmit. Në të njëjtën linjë mund të përmendim edhe pjesëmarrjen në Konferencën e Përbashkët të Ministrave të Jashtëm e të Brendshëm të Evropës Juglindore, të zhvilluar në Vjenë më 20 mars. Terrorizmi dhe krimi ekonomik i organizuar është një çështje që nuk i takon vetëm një shteti apo një shoqërie. Asnjë vend dhe asnjë shoqëri nuk mund ta fitojë e vetme betejën kundër terrorizmit apo kundër krimit ekonomik ndërkombëtar. Por së bashku mundemi!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: