“Përse fitoi Georgia Meloni në Itali”. Kjo është pyetja që emisioni “Pikat mbi i’ me gazetaren Ola Bruko në News 24, diskutuan sot ku të ftuar ishin analistët Artur Zheji dhe Fatos Lubonja.

Zheji u shpreh se Meloni ka të nevojshme mbështetjen e Salvinit dhe Berluskonit në Dhomën e Ulët dhe Senat, pa të cilët mund ta humbasë maxhorancën.

Ndërsa Lubonja tha se ndër arsyet përse Meloni fitoi ishte fakti që qëndroi në opozitë, kur Salvini dhe Berluskoni u bënë pjesë e qeverisë së Draghit.

Përse Italia votoi të djathtën?

Zheji: Meloni ka qenë ministre e Berluskonit dhe kemi të bëjmë me një rikthim të Berluskonit, si “baba” i Melonit. Ka qenë njeriu që ka besuar te Georgia Meloni që është sot surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Berluskoni nuk e ka fshehur asnjëherë miqësinë e tij me Putinin. Por edhe Salvini që mendonte të shkonte të takonte Putinin pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kemi një votim masiv për të djathtën që kërkon një hap pas, jo një largim të Italisë nga grupi i vendeve që mbështesin Ukrainën, por një zbutje të qëndrimeve. Kjo është kartëvizita e tyre, egoizmi kombëtar mbi interesat e përbashkëta të BE-së, të cilat sipas Melonit e shohin Italinë me më pak interes, me më pak mirëdashje sesa Italia do ta shohë veten e saj. Jo më kot teza kryesore ka qenë “Italia e para” dhe sovranizmi.

E prisnit fitoren e ekstremit të djathtë?

Lubonja: E prisja sepse kam ndjekur edhe sondazhet atje që janë shumë afër me realitetin dhe rezultatin. Meloni pritej në shifrat 25-26%. Ideja se Berluskoni është “babai” i Melonit, ai e quan ashtu në fakt, por Meloni është një personalitet i fortë që dallohet nga Berluskoni. Meloni nuk është qendër e djathtë, por është konservatore dhe e djathtë. Aftësia ka qenë që të bëjnë një koalicion së bashku. Theksin e vuri Zheji te Ukraina, por nuk është aty. Meloni vetë ka pasur një rrugë të saj nga një ekstremizëm, radikalizëm konservator drejt pozicionit që ka tani, më e moderuar. Sa i përket filo putinizmit, ajo konsiderohet atlantiste. Për Salvinin shtypi italian flet për një rënie të Lega. Fitorja e Melonit është e qartë këtu. Ajo që i ka dhënë Melonit fitoren është opozitarizmi. Është e vetmja që qëndroi në opozitë kur edhe Berluskoni e Salvini u futën në qeverinë Draghi. Arsye kryesore është pakënaqësia e madhe e italianëve ndaj klasës politike. Formula e saj, konservatorizmi, e dallon edhe nga Berluskoni sepse konservatorizmi i saj mblidhet te “Zoti, Atdheu, Familja”. Ajo nuk është sovraniste, është për Europën por thotë se “çdo vend europian sheh interesat e veta”. Ajo është më liberale krahasuar me Le Pen. Duke qenë konservatore është kundër të drejtave të gay, lesbikeve dhe thotë se nuk jam kundër atyre, por prioritet kam familjen. Nuk është “Putiniste”, në krahasim me Berluskonin dhe Salvinin që kanë pasur marrëdhënie të mira me Putinin dhe tani e mohojnë.

Zheji: Zgjedhjet e parakohshme erdhën për shkak se Conte rrëzoi qeverinë Draghi me mbëshetjen e Salvinit dhe Berluskonit. Meloni ka fituar zgjedhjet, por nuk bëhet dot kryeministre nëse nuk ka në Dhomën e Ulët votat e Salvinit ose Berluskonit. Ajo është një “sanduiç” mes Berluskonit dhe Salvinit. Keni për ta parë që shtypi i huaj nuk gabon kur e sheh me shumë shqetësim Melonin. Ata e krahasojnë me Le Pen që një vit më parë ishte duke fituar me Macron, për shkak të politikave të emigrantëve apo “Italia e italianëve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb