TIRANË

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko duke folur për zgjedhjet në Kosovë dhe fitoren e Vetëndosjes tha në “Real Story” në News24 se politika nuk mbaron me rezultatin matematikor të një palë zgjedhjeve.

Sipas tij, të gjithë e prisnin fitoren e Vetëvendosjes, por se PDK do jetë partia kryesore në opozitë dhe forcat e tjera do kenë rolin e tyre.

“Këto zgjedhje nuk duhen parë si vdiq mbreti, rroftë mbreti. Partia ime është krijuar në Luftën Nacional Çlirimtare dhe pastaj ka pasur shndërrimet e veta. PDK duket qartë që do jetë partia kryesore në opozitë. Ka për ta bërë opozitën siç duhet. Dhe nga VV ka pasur përfaqësues që u arrestuan apo AAK që ka deklaruar që nuk do ketë vija të kuqe. Mos e mendojmë politikën që mbaron me rezultatin matematikor të një palë zgjedhjeve. Situata në Kosovë të gjithë prisnin që të fitonte VV. Përgjegjësia ka emrin e tij. Mendoj që prova e dytë e tij nuk do jenë thjesht legalizimi i rezultatit zgjedhor por mënyra si do ndërtojë koalicionin”, deklaroi Majko.

Ndërsa analisti Arjan Vasjari tha se Kosova është shumë më përpara Shqipërisë në dinamikat politike dhe ekonomike.
“Unë besoj që Albin Kurti nuk është imunizuar nga sublimimi që gjithë njerëzit kanë për pushtetin. Politikanët asnjëherë nuk ngopen me pushtet. As ai nuk është i imunizuar. Kosova është shumë më përpara Shqipërisë në dinamikat politike dhe ekonomike. Të shkakton një ndjesi shumë pozitive fakti i reagimit të partive humbëse. Pashë deklaratën dhe të zotit Hoxhaj, Haradinaj, z. Hoti. Zoti Kurti nuk është hera e parë që fiton zgjedhjet. I ka fituar përsëri. Revolucioni nuk është asgjë përveç se produkt i zërave që nuk dëgjohen. PDK apo LDK nuk arritën të dëgjojnë zërin e shoqërisë kosovare. Emigrantët shqiptarë dhe nëse do i bëjmë aktet normative, nuk kanë atë afeksion, atë vëmendje, atë besim që emigrantët e shqiptarëve të Kosovës kanë në raport me Kosovën. Ata që kanë ikur kanë ikur pikërisht për shkak të kësaj politike. Çfarë sensi ka që ata të votojnë një politikë që i detyroi të iknin jashtë”, u shpreh Vasjari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb