Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot një takim me sekretarët politikë të PL-së në 12 qarqet e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Blushi kërkoi rritje të komunikimit me qytetarët, intensifikimin e takimeve dhe shumëfishimin e aksionit politik.
“Kjo fushatë për ne nuk është e lehtë, në kushtet kur “Rilindja” në bashkëpunim me partinë aleate SPAK, vetëm në funksion të zgjedhjeve, rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe e kanë izoluar me masë ekstreme pa prova dhe pa asnjë fakt penal, presidentin Ilir Meta, pasi dështuan me sukses në të gjitha përpjekjet e tyre për të marrë peng Partinë e Lirisë”, tha Blushi.
Blushi u shpreh se “beteja që kemi përpara është shumë e vështirë, por fitorja nuk është e pamundur, përkundrazi, jemi më pranë saj se kurrë”.
“Partia e Lirisë nga Tropoja në Sarandë, është ngritur e tëra në këmbë, ka një optimizëm të madh, është më e motivuar se kurrë, solide dhe në hapje të pandalshme, me energji të ripërtërira, me vizion dhe me një program të shkëlqyer, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, falë të cilit kemi të drejtën morale të votohemi nga çdo qytetar, sepse ne garantojmë në radhë të parë ndalimin e shpopullimit nëpërmjet garantimit të mirëqenies së çdo qytetari me paga e pensione dy herë më të larta, nëpërmjet mbështetjes konkrete për familjet e reja, të fermerit dhe arsimtarit, me objektin madhor shndërrimin e Shqipërisë nga një gropë importi në një fuqi rajonale eksportuese, ku çdo shqiptar të jetojë i lirë, me nder dhe me dinjitet, i sigurtë për të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij”, nënvizoi Blushi.
Ai tha se “çdo sekondë, çdo orë dhe çdo ditë e ardhshme janë vendimtare për të përcaktuar fitoren tonë”.
“Ka vend për të shtuar ritmin e komunikimit me qytetarët, derë më derë, në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo fshat dhe qytet për të prezantuar këtë program dhe për të bërë qartësisht dallimin mes nesh dhe bandës plaçkitëse të “Rilindjes” që në 12 vite zhvati taksat e shqiptarëve dhe shpopulloi dramatikisht vendin, më keq edhe se çdo pushtues më i egër i këtij kombi”, tha Blushi.
(BalkanWeb)