Ky është një nga ato sezonet ku Tirana kërkon të fitojë gjithçka. Në kampionat, bardheblutë renditen në vendin e dytë me pikë të barabarta me vendin e parë, ndërsa kanë mbërritur deri në gjysmëfinalen e Kupës, ku do të përballen me Teutën. Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka dhënë një intervistë për News 24, ku flet për objektivat, situatat e lojtarëve të ndryshëm dhe arsyet se përse ekipi ka qenë disi i luhatur.

 

Shehi, short me fat, shmangët Vllazninë, kampionët në fuqi, por Teuta është kthyer në një mace të zezë, iu ka mposhtur në dy përballjet e fundit

Unë nuk mendoj se ka fat në këtë fazë. Në katër më të mirat shkojnë skuadrat që kanë bërë mirë. Kemi ecuri të mirë këtu dhe nuk ka favorit. Pas ndeshjes së parë mund të shikosh se kush është i avantazhuar.

Shehi, mbetet titulli objektiv fiks? Apo ndryshon diçka me Kupën në mes? A mjafton Kupa për ta quajtur një sezon të suksesshëm? Osmani psh foli edhe për “tripletë”, është e mundur?

Ne kërkojmë që të marrim më të mirën, ne jemi brenda objektivave. Ne do tentojmë të bëjmë maksimumin. Kemi fituar Superkupën, edhe pse nuk është një trofe primar.Fokusi është të kampionati dhe kampionat. Ne do të përqendrohemi. Fokusi është te ndeshja e radhës.

Më bëri përshtypje një tjetër deklaratë e Osmanit: Mendojmë se titullin kampion e kemi të fituar, pse kaq i sigurt drejtori sportiv, apo kështu e shihni dhe ju?

Unë nuk e kam dëgjuar, ndoshta e ka lënë fjalinë përgjysmë. Titulli nuk fitohet jashtë fushe, fitohet në fushë. Ndoshta e ka patur sa i takon ecurisë. Ai e di mirë sesi fitohet titulli, nuk kam folur me të.

Shehi, sa ju shërbeu pauza që solli Kombëtarja, përveç Patrik, a është grupi i plotë?

Zakonisht shërben për mirë, por ne na ka shërbyer për keq. Kristalin nuk e kemi në gjendjen e tij më të mirë. Nuk e futëm në miqësore. Nuk jemi të sigurtë për Deliun nëse do jetë apo jo pjesë e skuadrës.

Shehi në tre ndeshjet e radhës luani në shtëpi, më saktë jeni pritës, sepse me Erzenin do luani në Elbasan, plus pa tifozë. Sa impakt ka efekti fushë te Tirana dhe a është kjo periudha që do të vendos shumë për objektivin titull?

Shtëpinë në letër, ne do luajmë në Elbasan. Pak diferenca ka fusha brenda apo jashtë. Rezultatet po e tregojnë këtë.Do donim të luajmë në Air Albania, por nuk luajmë dot. Ne po shkojmë në Elbasan, kurrsesi nuk mund të bashkojmë 3 ndeshje bashkë. Gjithsecila ndeshja ka specifikat e veta. Ndeshja e të dielës? Fokusi është aty. Nuk mendojmë për të ardhmen, por vetëm për të tashmen.

Shehi, pse kaq shumë luhatje, pse e ka të vështirë Tirana, por edhe rivalët, të kenë vazhdimësi këtë sezon?

Unë flas për skuadrën time. Skuadra ka kaluar tranzicion të madh. Nga ekipi i vjetshëm kemi shumë pak lojtarë. Në gusht na janë larguar lojtarë të rëndësishëm dhe sërish bëmë mirë. Në janar na ikën Geci, apo Xhixha. Kur ke kaq shumë lëvizje, oshilacionet janë normale. Jemi të kënaqur me ecurinë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për gjithçka.

Në fund dua një mendim personal, si një ish lojtar i Kombëtares, çfarë shije të la sfida me Poloninë, trajneri Sylvinho, dhe sa shanse i jep Shqipërisë për të shkuar në Evropian?

Ne duke patur lojtarë që luajnë në nivele të larta, duam të luajmë në Europian. Ndeshjet e kombëtares dhe lojërat e mira harrohen shumë shpejt. Ndeshjet në ligë të shërbejnë për mirë për vazhdimësinë. Vazhdimësia në ekipin kombëtar është 3 muaj. Do isha i kënaqur nëse do luanim keq dhe do fitonim. Na mungoi cinizmi dhe fati. Mëkat që dolëm pa pikë. Kemi Poloninë dhe Çekinë në grup, skuadra që kanë qenë më shumë se ne në Europian. Janë ekipe me traditë. Shanset do të duken në shtator. Optimizmi është, fryma e mirë ndikon në performancen e gjithsecilit.

(BalkanWeb)

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: