TIRANE

Pas miratimit sot nga Kuvendi të dekretit të presidentit Ilir Meta për shkarkimin nga detyra e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri vjen me një mesazh falënderues.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të ‘Facebook’ Gjiknuri teksa ka bërë një bilanc të punës për këto 5 vite e gjysmë në detyrën e ministrit, shprehu mirënjohje dhe falënderime për të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Mes të tjerash ai nuk la pa përmendur edhe kryeministrin Edi Rama, për mbështetjen dhe besimin që ka treguar ky i fundit ndaj tij.

“Në përfundim të angazhimit tim si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, më lejoni të ndaj me ju disa falënderime, për ata që ishin bashkëudhëtarë për 5 vite e gjysmë në këtë rrugëtim të rëndësishëm drejt ShqipërisëQëDuam ? mirënjohje pa fund për të gjithë punonjësi e sektorit elektro-energjetike. Që bënë të mundur realizimin e një ndër reformave më të rëndësishme në këto 25 vite. Gjetëm humbje në 45% dhe sot ato janë 23.9 %. Në vitin 2013 totali i arkëtimeve ishte 38.5 miliard lekë. Sot mblidhen 65.7 mld lekë. Numri i ankesave mujore është vetëm 0.47 % e totalit të faturave ndaj konsumatorëve. 5 vitet e fundit janë investuar mbi 600 mln euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Shtuam kapacitetet gjeneruese të energjisë. Falënderim i sinqertë për çdo punonjës të Autoritetit Rrugor dhe Shërbimit të Transportit. Në vetëm në 1 vit e gjysmë kemi përmbyllur 27 kontrata për rrugë të lëna rrugës dhe firmosëm 13 të reja. Zhbllokuam dhe ktrhyem në gjendje pune kantierin për by-pasin e Vlorës dhe Fierit, siç i dhamë zgjidhje ngërçit të trashëguar të autostradës Tiranë-Elbasan. Për herë të parë vumë në jetë programin e mirëmbajtjes.

250 km rrugë iu shtuan rehabilitim. I hapëm perspektivën aeroportit të Kukësit dhe morëm hapat e duhura për hapje e atij të Vlorës. Shumë shpejt nis linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas. Shqipëria e ka gati edhe mastërplanin për gazifikimin e vendit. Një falënderim i veçantë për kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më dha mua si ministër, pa të cilin do të ishte e pamundur të çoheshin para këto reforma. Kemi bërë shumë në këto 5 vite, por mund të kishim bërë edhe më tepër. Disa gjëra mund t’i kishim bërë edhe më mirë. Gjithsesi për asnjë moment nuk duhet të harrojmë nga ku e nisëm. Mbetet shumë për t’u bërë për të kënaqur qytetarët. Gjej rastin t’i uroj suksese ministres së re të Energjisë dhe Infrastrukturës. Kam besimin se ajo do të jetë në gjendje të çojë përpara këto arritje në një ritëm më të shpejt. Mesazhi i fundit nga radha por jo nga rëndësia u takon qytetarëve të Vlorës. Kam qenë vazhdimisht me ju dhe në ndjekje të probleme tuaja. Por barra e detyrës që mu ngarkua na i rralloi edhe kontaktet njerëzore krahasuar me më parë. Këto kontakte do të shtohen me angazhimin tim tani e tutje pranë jush. Na e pret përpara edhe një punë më intensive së bashku. Qershorin e ardhshëm duhet të çojmë përpara projektin për të garantuar të 7 bashkive të ardhmen që meritojmë. Ne kemi dëshmuar se së bashku dimë të thyejmë rekorde dhe të dalim fitimtarë”, e mbyll fjalën e tij Gjiknuri.

Tashmë postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë do ta mbajë Belinda Balluku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb