TIRANE – Pamja dhe sensualiteti e kanë ndihmuar atë të kthehet në një personazh të dashur për faqet e revistave. Dhe këtë Fjolla Morina e pohon pa drojë. Sikundër thotë se i është dashur të punojë shumë për të arritur këtu ku është sot. Vajza seksi e skenës, nënë e një vajze 9-vjeçare, vjen në këtë intervistë të parë në “WHO” me këndvështrimin e saj për të bukurën dhe fenomenin ‘Kim Kardashian’, me të cilën po e krahasojnë gjithmonë e më shumë kohët e fundit. Çfarë mendon Fjolla për të dhe a ka ajo një ‘Kanye West’ në krah për ta mbështetur në jetë dhe karrierë? Përgjigjen e marrim në rreshtat që vijojnë.

Si është jeta e një vajze seksi dhe të bukur?
Unë mendoj se të gjitha vajzat janë të bukura, në një mënyrë apo një tjetër. Me rëndësi është që ta përdorim bukurinë me pozitivitet. Bukuria e brendshme është bukuria që duhet të kenë të gjitha vajzat, sepse bukuria e jashtme ka pluse dhe minuse dhe nuk është e përjetshme. Ajo që ke brenda mbetet gjithmonë.

Të ndihmon apo të pengon kjo gjë?
Në showbiz, bukuria është shumë e rëndësishme, sepse këngëtaret mundohen të bëhen idhull për të gjithë. Dhe si idhull, duhet të kujdesemi për pamjen dhe sjelljen tonë. Fakti që disa njerëz më konsiderojnë vajzë të bukur më ndihmon në punën time si këngëtare.

Shpesh ju kanë quajtur ‘Kim Kardashian shqiptare’; ju vetë, mendoni se keni ngjashmëri me të?
Mua më kanë krahasuar me shumë yje të botës dhe shumë vajza shqiptare i kanë krahasuar me Kim Kardashian. Unë nuk mendoj se kam shumë ngjashmëri me të, por s’më pengon krahasimi, sepse është një vajzë tepër e bukur.

Ku ndahet dhe ku bashkohet Fjolla Morina me Kim Kardashian?
Unë jam një këngëtare dhe e kam arritur famën me shumë punë dhe projekte muzikore, ndërsa Kim Kardashian është një personalitet i televizionit, e cila e ka arritur famën në mënyrë shumë kontroverse dhe, të them të drejtën, nuk e di se cili është profesioni i saj kryesor.

Në fakt Kim Kardashian është edhe një figurë skandalesh; ju personalisht, mendoni që skandalet mund të të mbajnë për një kohë të gjatë në treg?
Amerikanët i favorizojnë skandalet shumë më shumë se ne këtu. Kim-i e ka arritur famën nëpërmjet një skandali i cili, po të kishte ndodhur në trojet shqiptare, do të kishte efektin e kundërt. Në Amerikë, skandalet mund të të mbajnë për një kohë të gjatë në treg, por në trojet shqiptare, duhet të punosh shumë, të sjellësh projekte të suksesshme në muzikë, që të mbijetosh për një kohë të gjatë në treg.

Kim Kardashian ka një Kanye West, që e mbështet në jetë dhe karrierë. A ka Fjolla një njeri të tillë përkrah?
Unë preferoj që jeta private të mbetet private dhe karriera publike. Nuk e kam një Kanye West, dhe preferoj të mos e kem një njeri i cili ka të njëjtin profesion si unë. Besoj që femrat duhet të jenë të pavarura dhe të kenë një karrierë profesionale, pavarësisht a janë në një lidhje dashurie apo jo.

A do të kemi ndonjë projekt tjetër muzikor nga Fjolla së shpejti?
Po, patjetër. Kam disa projekte të cilat besoj se do t’i publikoj së shpejti, por për momentin po i mbaj sekret.
(er.nu/Who/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: