TIRANË- Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar pas ngjarjes së fundit në Lezhë, ku u grabit një banesë dhe u plagos kryefamiljari. Noka thotë se ka çdo ditë lajme të tilla por se shteti nuk reagon.

Ai thotë se nuk është zbuluar asnjë bandë vjedhësish të armatosur dhe nuk i është kthyer pasuria asnjë qytetari. Noka iu ka bërë thirrje qytetarëve të mbrojnë vetë jetën e tyre dhe të familjarëve.

STATUSI I NOKËS
Me shumë dhimbje lexova lajmin e plagosjes nga grabitës të armatosur të një kryefamiljari në Rrilë të Lezhës i cili megjithëse i pa armatosur po përpiqej të mbronte familjen e tij, pronën e tij dhe pasurinë e tij nga bandat e armatosura plaçkitëse që këto kohë janë bërë mëse normale. Çdo ditë lajme të tilla tronditëse.

Po shteti ku është? A ka dëgjuar dikush që policia e Saje Qorrit ka kapur ndonjë bandë vjedhësish të armatosur? A është zbuluar ndonjë rast? A i është kthyer pasuria e vjedhur ndonjë viktime të grabitjes?

A duket ndonjë rast në këto tre vite që policia t’i ketë dalë zot viktimave, apo qytetarëve të thjeshtë? Policia ka bërë dhe po bën sehir për vjedhjet me dhunë edhe kur ato kanë përfunduar me plagosje për të vjedhurin apo edhe kur keni pas viktima të vrara nga grabitësit siç ishin disa raste në Sarandë, Shkodër apo Lezhë. Në Shqipëri po bëhet batërdia. Askund nuk duken gjurme shteti. Shteti është nënshtruar nga krimi e bile është bërë njësh me krimin.

Rama e Saje qorri e drejtuesit e policisë kanë hallin e drogës, të korrjes së saj tani, të ndarjes së sasive reciproke mes tyre. Kanë halle koncesionesh se si t’ju vjedhin gjithçka, vetëm jo me maska si ata që ju vijnë natën por ditën në pike të diellit e pa maska por me kollare.

Dmth ju shqiptarë për fatin tuaj të keq jeni sandëich. Ditën ju vjedh Rama e kompani pa maska e natën ju vjedhin bandat me maska. Çfarë ngelet tani kur shteti është dorëzuar? Qytetarët duhet t’i dalin zot vetes. Duhet të gjejnë zgjidhje të mbrojnë jetët e tyre e të familjarëve të tyre. Mbrojtja e pronës në këto kushte në Shqipëri është dytësore. Jeta është parësore. Shqiptarë, dilni zot vetes. Mbroni veten se nuk po ju mbron askush!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb