TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë se po braktis bashkëpunëtorët e drejtësisë për të bashkëpunuar me bandat dhe të akuzuarit. Deputeti i PD-së, Flamur Noka solli në vëmendje rastin e dëshmitarit të Aldo Bares, të cilit së fundmi i është hequr mbrojtja. Noka theksoi se lënia në mes të rrugëve është ti dërgosh dëshmitarët në duart e xhelatëve të krimit.

“Prej dy vitesh, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur të braktisë bashkëpunëtorët e drejtësisë për krime shumë të rënda, dhe të bashkëpunojë me bandat dhe të akuzuarit.

Rasti i dëshmitarit Arben Kicja është tronditës. Ai është një nga dëshmitarët kyç, që ka ndihmuar në procedimin dhe dënimin e bandës famëkeqe të Lushnjës, të shefit të kësaj bande Aldo Bare, të akuzuar për krime çnjerëzore, por sot, ky bashkëpunëtor i drejtësisë është flakur në rrugë. Pasi është braktisur nga strukturat e qeverisë, Kicja është detyruar tashmë të dalë e të flasë në publik, të kërkojë ndihmë për sigurinë e familjes së tij. Lënia në mes të rrugëve e dëshmitarit të drejtësisë nga qeveria, është pozicionim i hapur i saj në krah të krimit. Lënia në mes të rrugëve është ti dërgosh dëshmitarët në duart e xhelatëve të krimit”, deklaroi Noka.

Ai tha se “të njëjtën gjë bëri Saimiri i Edi Ramës edhe me rastin e dëshmitarit në çështjen e vrasjes së komisarit Lamaj”.

“I publikuan atij të dhënat, e nxorën hapur në publik identitetin e tij. Ia bënë peshqesh krimit. Dhe për bandën e tritolit që ka kryer disa vrasje me pagesë, dëshmitarit të drejtësisë iu desh të shkonte sa në një komisariat në tjetrin dhe askush nuk e merrte në konsideratë, derisa u detyrua të dilte në televizion. Ky qëndrim i qeverisë, i Ramës dhe Tahirit, afër bandave, përkrah interesit të tyre, dhe në armiqësi me bashkëpunëtorët e drejtësisë është shërbimi më i madh që mund ti bëhet krimit dhe dëmi më i madh që mund ti bëhet rendit, ligjit dhe sigurisë në vend”, nënvizoi deputeti i PD-së.

Noka tha se sot, qeveria e Edi Ramës është e diskretituar dhe e damkosur si qeveri që tradhton dëshmitarët e krimeve të rënda.

“Ajo ka humbur besimin e qytetarëve, dhe në vijim, askush nuk do të merrte guximin të denonconte apo të dëshmonte për krime të rënda, pasi përvoja e deritanishme tregon se zyrtarët e Edi Ramës jo vetëm që nuk ofrojnë siguri, por të hedhin në rrugë bashkë me familjen. Këto janë raste skandaloze, dëshmi e inkriminimit të qeverisë, të pushtetit të veshur me krim dhe krimit të veshur me pushtet”, tha ai.

Në përfundim deputeti Noka deklaroi se Partia Demokratike do ti shqyrtojë me themel këto raste dhe do të ofrojë garanci e siguri absolute për qytetarët që do të bashkëpunojnë me drejtësinë, sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: