Drejtuesi politik për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Vorës dhe Zallherrit, Flamur Noka, vizitoi shtëpitë e disa familjeve që jetojnë në kushtet tejet të vështira në Laknas.

Fillimisht, z.Noka takoi Ramazan Demirin, babain e 7 fëmijëve.
“Jam pa punë dhe bashkëshorten e kam shumë të sëmurë. 100 mijë lekë në muaj më duhen vetëm për të siguruar ilaçet e bashkëshortes. Nuk marr as ndihmë ekonomike”, – shprehet z.Demiri.

I papunë, pa tokë nga e cila mund të nxirrte ndonjë prodhim, Ramazan Demiri ndihet i pashpresë.
“Kemi një qeveri të pashpirt, që i ka vënë shkelmin qytetarëve. Janë me mijëra qytetarë që ndihen të nëpërkëmbur nga shteti. Më 25 prill kjo situatë do të marrë fund. Ne do të krijojmë një qeveri që do të kujdeset për qytetarët e saj”, premtoi z.Noka.

Bashkëshortja e Ramazanit shprehet se janë ankuar në bashki, por nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme, madje edhe vajzën 20 vjeçare e kanë pa punë.
Z.Noka e siguroi familjen Demiri, se Partia Demokratike me Lulzim Bashën kryeministër, jo vetëm që do t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë, por do të dyfishojë ndihmën ekonomike.

Më pas, z.Flamur Noka u ndal në një tjetër familje në Laknas.
“Jetojmë 12 vetë pa asnjë lloj ndihme. Kisha një lopë dhe u detyrova ta shes që të siguronim bukë” – u shpreh kryefamiljari.

“Shteti e ka për detyrë të kujdeset për qytetarët e tij, jo t’ju lerë pa bukë. Ju sot jeni pa punë, pa rrogë, pa ndihmë ekonomike. Duhet një qeveri që të mendojë për ju!”, përfundoi z.Noka

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: