Drejtuesi politik i PD, Flamur Noka ka zhvilluar një takim me mësuesit në Kamëz. Noka i ka kujtuar mësuesve në ditën e 7 marsit se me Bashën kryeministër nuk do të kenë rroga nën 700 euro.

Sipas tij, ky është një premtim dhe do të bëhet realitet sapo PD të vijë në qeveri.

Më tej Noka ka akuzuar qevëerinë se në 8 vite ka nëpërkëmbur mësuesit, duke e lënë arsimin në gjendje të mjerueshme.

“Asnjë investim, asnjë kontribut, qoftë tek ju si arsimtarë për t’ju ndihmuar në punën tuaj, qoftë edhe në rritjen e pagave dhe të pensioneve.
Arsimi, jo vetëm në Kamëz, por kudo është në gjendje të mjerueshme.
Është e dhimbshme të shohësh, se si pas 8 vitesh qeverisje, Rilindja shet si investim te saj, rikonstruksionin e një shkolle të financuar nga UNDP.
Aq të paskrupuj janë, sa përfaqësuesit e UNDP u detyruan të reagojnë, duke u thënë se investimi nuk është i qeverisë, por i UNDP.
Reforma jonë në arsim do të bazohet në disa pika kryesore. Do të rrisim pagat për të gjithë mësuesit.Në qeverisjen e Partisë Demokratike nuk do të kete rrogë mësuesi nën 700 euro.
Ky është një zotim i studiuar dhe me Lulzim Bashën kryeministër, do të bëhet realitet. Ne do të bëjmë gjithçka që dinjiteti i mësuesit të mos nëpërkëmbet, siç ka ndodhur në këta 8 vjet. Do të bëjmë gjithçka që kushtet e mësimdhënies të jenë optimale” – tha Flamur Noka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb