TIRANE – Ai kishte nevojë për lekë. Nuk e dinim se bënte diçka të tillë, por nuk e paragjykojmë, pasi në gjendjen që ishte ai, kishte vërtet nevojë për lekë.” Kështu janë shprehur ditën e djeshme, disa prej kolegëve të cilët e kanë njohur dhe kanë punuar me majorin Sokol Feka. Askush nuk pranon që të flasë me emër, për shkak të çështjes, por edhe për shkak të rregullave dhe procedurave nuk u lejohet, por ajo që bie në sy, është se të gjithë shprehen se 41-vjeçari ka qenë një profesionist i mirë dhe shumë njeri i qetë.
“Kemi punuar me Sokolin gjatë emergjencave të ndryshme. Ai ishte një pilot i shkëlqyer. Nuk e dinim se merrej me një aktivitetet të tillë, por ne nuk e paragjykojmë. Ai kishte nevojë për lekë, sepse kishte shumë probleme financiare. Jetonte me qira, kishte borxhe, kredi”, pohojnë kolegët e tij pranë Repartit të Helikopterëve në Farkë. Ata pohojnë se shoku i tyre paguhej rreth 53 mijë lekë në muaj dhe këto para atij nuk i dilnin për të përballuar problemet që kishte.
Piloti i Forcave të Armatosura me eksperiencë prej 18 vitesh, humbi jetën tri ditë më parë teksa drejtonte një helikopter të paregjistruar, nga Maroku drejt Spanjës të ngarkuar me 1 ton hashash. Një tjetër mik i tij, ish-ushtaraku Avdi Daci shprehet se askush nuk e di tamam se përse Sokoli i është futur kësaj rruge, por beson se hallet e kanë detyruar që ta bëjë diçka të tillë.
“Edhe pse piloti kishte hapur një biznes pastrimi, kjo nuk e ndihmoi të dilte nga jetesa në kushte të vështira në një banesë me qira. Kjo histori duhet të shërbejë që pilotët të trajtohen më mirë ekonomikisht. Vetëm ai e di se përse e ka bërë një gjë të tillë, por besoj se hallet e kanë shtyrë ta bëjë diçka të tillë”, – ka sqaruar ish-ushtaraku në një intervistë televizive.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: