TIRANE- Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, e cilësoi si të çuditshëm faktin që ende pas 4 vitesh drejtësia nuk ka përfunduar punën me çështjen e 21 janarit. Ai tha se qeveria, Prokuroria dhe aktorët e tjerë duhet të sigurojnë shqiptarët por edhe faktorin ndërkombëtar jo vetëm me fjalët për drejtësi, por tashmë edhe me fakte.
“E pritshme është që të jepet drejtësia për familjarët e tyre. Pas 4 vjetësh, ende 3 raste janë në pritje para Gjykatës së Lartë dhe një ende nën hetimin të Prokurorisë. Kjo ngjan disi e çuditshme, shumë e çuditshme në këndvështrimin e Brukselit. Unë shpresoj me të vërtetë se qeveria, Prokuroria dhe aktorët e tjerë do të na sigurojnë, jo vetëm me fjalët për drejtësi, por tashmë me fakte”, – tha Fleckenstein për TCH.
“Nuk jam gjykatës dhe as shtetas në Shqipëri. Kështu që nuk më takon mua të gjykoj se kush është fajtori, e cili duhet dërguar para gjykatës. Kjo i takon Shqipërisë. Ajo që unë dua është që familjarët të kenë ndjeshmërinë se po trajtohet seriozisht kjo çështje, duke u dhënë atyre në njëfarë mënyre drejtësi. Së dyti, e çmoj vërtet njoftimin e kryeministrit Rama për pensionet e familjarëve, por kjo është vetëm një pjesë e historisë. E mirë, por e pjesshme”, – deklaroi Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb