TIRANE – Ambasadori i Katarit në vendin tonë Yousuf Hassen AL¬Saai fton shqiptarët e kualifikuar të aplikojnë për punësim në Katar, sidomos në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. Si e shikojnë biznesin, arsimin dhe median në perlën e vendeve të shkretëtirës.

Si e sheh ambasadori Shqipërinë në fushën e investimeve dhe si i gjykon ai debatet e sotme mbi përplasjen e qytetërimeve.

Si i gjykoni sot marrëdhëniet mes Katarit dhe Shqipërisë? Çfarë mund të veçoni nga periudha e shërbimit tuaj si përfaqësues i vendit tuaj këtu?

Marrëdhëniet mes Shtetit të Katarit dhe Republikës së Shqipërisë janë marrëdhënie të mira dhe të forta, të bazuara në respektin reciprok dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në interesin e dy popujve të dy vendeve mike. Unë mund t’ju siguroj për thellësinë e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e gjerë në nivelin e marrëdhënieve politike. Ka një koordinim dhe bashkëpunim të plotë mes të dy vendeve brenda organizatave ndërkombëtare. Vizita historike që zhvilloi Lartësia e Tij, Emiri Baba Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Tiranë, më 18 tetor 2011, i hapi rrugën zgjerimit të horizonteve të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, duke nënshkruar disa memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe në shumë fusha, e ndjekur më pas nga hapja e Ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë, në janar 2012. Pa dyshim, marrëveshjet e nënshkruara midis dy vendeve do të kenë një ndikim të madh në rritjen e bashkëpunimit dypalësh, dhe ndoshta marrëveshja e fundit që u nënshkrua gjatë vizitës së Kryeministrit shqiptar në Doha, në prill 2014, në lidhje me punësimin e shqiptarëve në Katar, e cila hyri në fuqi pak kohë më parë, ka filluar të japë fryte e saj, ku shumë të rinj shqiptarë kanë aplikuar për punë në Katar. Ekziston dhe një komunitet shqiptarësh që punojnë në Katar. Ky është një fillim i mirë për të përfituar nga energjitë e shqiptarë të kualifikuar nga njëra anë, dhe nga ana tjetër kontribuon në zgjidhjen e problemit të papunësisë në Shqipëri, si dhe kontribuon për të zvogëluar fenomenin e emigracionit të paligjshëm për në vendet e Bashkimit Europian, e cila arriti kulmin në fillim të vitit 2015. Ne shpresojmë që në periudhën e ardhshme të ketë një rritje të numrit të punëtorëve shqiptarë në Katar. Me këtë rast, ambasada jonë u bën thirrje të gjitha kompanive shqiptare të specializuara në fushën e punësimit jashtë vendit, që të komunikojnë me kompanitë homologe në Shtetin e Katarit për të identifikuar nevojat e tregut të punës në Katar ku, siç dihet, Katari ka nevojë për punëtorë të kualifikuar në fushën e ndërtimit në kuadër të përgatitjeve që po bën për të pritur Kupën e Botës (2022). Për sa i përket pjesës së dytë të pyetjes, mendoj se Shqipëria është një vend i rëndësishëm dhe kyç në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Gjëja më e rëndësishme që e dallon, është rasti i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, duke qenë kështu një model shembullor për botën e sotme të trazuar nga konfliktet dhe sektarizmat fetare.

Katari është një shtet që ka shumë investime në shumë vende të botës. Po në Shqipëri, cilat janë investimet më të rëndësishme? A ka projekte sot në proces?

Katari synon që nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Katarit 2030 të përdorë në mënyrë optimale burimet dhe të ardhurat e tij prej naftës, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët e tij dhe të ruajë të ardhmen e gjeneratave të mëvonshme. Për këtë qëllim, shteti i jep një rëndësi maksimale diversifikimit të burimeve të të ardhurave dhe investimit të suficitit fiskal në sektorë prodhimi dhe investimi, brenda dhe jashtë vendit. Sa për investimet në Republikën e Shqipërisë, mund të themi se ka një dëshirë të sigurt të Shtetit të Katarit për të rritur bashkëpunimin ekonomik, tregtar, të turizmit dhe bujqësisë, ku disa delegacione investimi katariane kanë vizituar Republikës së Shqipërisë në tri vitet e fundit, ne shpresojmë nga pala Shqiptare të paraqesë projekte investimi të plota e të detajuara në mënyrë që të studiohen.

Katari njihet edhe për një vend, që ka marrëdhënie shumë të hapura me median dhe investime në arsim. Çfarë kanë ndryshuar këto dy fusha në vendin tuaj?

Media, me të gjitha format e saj, luan një rol të rëndësishëm në fushën e zhvillimit në Katar. Institucionet mediatike punojnë së bashku me institucionet e ndryshme shtetërore për të realizuar Strategjinë e Zhvillimit Katar 2030, si dhe për të ngritur vetëdijen publike rreth kësaj strategjie. Në vitin 1995 u hoq censura ndaj medias dhe në 1998 u shpërbë Ministria e Medias. Në sajë të mediave të avancuara dhe moderne në Shtetin e Katarit, shteti është bërë një model dhe shembull rajonal e ndërkombëtar. Arsimi në Katar vlerësohet si një nga shtyllat kryesore për të realizuar zhvillimin në aspekte të ndryshme. Këtë e konfirmon Kushtetuta e Përhershme e Shtetit të Katarit në nenin 25 të saj, dhe Vizioni Kombëtar Katar 2030, i cili synon të ngrejë sistemin arsimor në nivelet më të larta arsimore në rang global. Vlen të theksohet se udhëheqja në Shtetin e Katarit ka investuar në mënyrë të konsiderueshme e të vazhdueshme në sistemet e arsimit, ku buxheti i akorduar sektorit të arsimit ka njohur rritje sistematike gjatë dy dekadave të fundit, derisa arriti në 7.3 miliardë USD, ose çka përllogaritet me 12% të totalit të shpenzimeve publike në buxhetin e shtetit për vitin 2014–2015. Ndërkaq, në vitin 1995 u themelua Fondacioni “Qatar Foundation”. me iniciativën e Lartësisë së Tij, Babait Emir Sheik Hamad Bin Khalifa AlThani, dhe Madhëria e Saj, Sheikha Moza Bint Nasser, mban presidencën e Bordit të Drejtorëve dhe konsiderohet forca e tij shtytëse. Puna e fondacionit bazohet në tri shtylla: edukim, kërkim shkencor dhe zhvillimin e komunitetit. “Qatar Foundation” ka një rol të rëndësishëm në realizimin e Vizionit Kombëtar Katar 2030, ai është motori kryesor për të çuar përpara zhvillimin e shoqërisë, me moton “Çlirimin e potencialit njerëzor”. Fondacioni ofron arsim në të gjitha ciklet, nga shkolla fillore deri në universitet, në “Qytetin e Arsimit”, një kompleks universitar i integruar në një sipërfaqe prej 2.500 dynymë në periferi të kryeqytetit Doha, dhe pret rreth 4000 studentë nga 90 nacionalitete të ndryshme. Theksohet se “Qatar Foundationfor Education” përfshin degë të universiteteve më prestigjioze, si universiteti “Virginia Commonwealth”, universiteti “Weill Cornell”, universiteti “Texas A&M”, “Carnegie Mellon University”, universiteti “Georgetown” Fakulteti i Çështjeve Ndërkombëtare, “Northwestern University”, “Universiteti i Studimeve të Larta të Menaxhimit” (HEC Paris) dhe “Kolegji Universitar i Londrës”.

Ka pasur gjithnjë debat mes ideve të Samuel Huntingtonit për “Përplasje Qytetërimesh” dhe Eduard Said që e kundërshton këtë tezë, duke mbështetur idenë se “përplasen vetëm injorancat e jo qytetërimet”. Si mund të zgjidhet sot ky debat? Cili duhet të jetë kontributi i dijetarëve?

Vizioni Kombëtar Katar 2030 kërkon të “promovojë frymën e tolerancës dhe të mirësisë, të inkurajojë dialogun konstruktiv dhe hapjen ndaj kulturave të tjera në përputhje me identitetin islamik arab”. Sa i përket teorisë së “Përplasjes së Qytetërimeve” të mendimtarit Samuel Huntington, kanë dalë disa nisma konstruktive për të përballur këtë teori, e nga këto nisma të rëndësishme është “Aleanca e Qytetërimeve”, e nisur nga kryeministrat e Turqisë dhe Spanjës në vitin 2005, e cila u miratua në një datë të mëvonshme nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për t’u bërë një iniciativë ndërkombëtare. Në vitin 2007, u themelua Sekretariati i Përgjithshëm i kësaj nisme në kuadër të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në mënyrë që të sigurohet një koordinim i saktë për aktivitetet e fushëveprimit të Aleancës. Shteti i Katarit kërkon të realizojë vizionin e Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara, ku në mars 2010 u krijua Komiteti Katarian për Aleancën e Qytetërimeve. Për më tepër, Doha ka mirëpritur Forumin e Katërt Ndërkombëtar të Aleancës së Qytetërimeve, në dhjetor të vitit 2011.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: