Flet për herë të parë ish-bashkëshortja e deputetit Alfred Peza, Adelina Toli, pas lajmit që ka qarkulluar ditën e djeshme lidhur me deklaratën e saj në prokurori. Disa media shkruajtën dje se ish-bashkëshortja e Pezës kishte pranuar t’i tregonte “të gjitha” me kusht që t’i ofrohej siguri djalit që ka me deputetin e PS-së.

Por një gjë e tillë përgënjeshtrohet tërësisht nga zonja Toli. Toli thotë se kurrë nuk e ka deklaruar një gjë të tillë dhe se të gjitha janë shpifje të ulëta. Si një njohëse e mirë e medias, pasi dikur ka qenë vetë pjesë e “Koha Jonë”, ish-gruaja e Pezës thotë se i vjen keq për “llumin” që është media sot, sipas saj.

“Janë pikërisht ata që na kanë mësuar dikur gazetarinë ne, që shkruajnë gjëra të pavërteta sot. Unë jam shprehur e gatshme për t’ju përgjigjur çdo pyetje të Prokurorisë deri në fund të hetimit. Por kurrë nuk kam kërkuar sigurinë e tim biri. Nga çfarë është i rrezikuar im bir? Nga i ati?!! Kjo është tërësisht qesharake dhe absurde”, thotë për newsbomb.al ish-gruaja e deputetit.

Toli thotë se me ish-bashkëshortin Peza ka raporte normale dhe pasi lexoi gjithçfarë ishte shkruar dje, ka komunikuar me të për t’i thënë se asgjë nga ato që qarkullon nuk është e vërtetë dhe se ajo s’ka thënë asnjëherë asgjë të tillë.

“Në fund të gjithçkaje, Fredi mbetet babai i tim biri. Është kaq e thjeshtë. Mua më vjen keq që janë pikërisht kolegët e tij ata që i janë hedhur sot të gjithë në sulm”, thotë Toli.

Lidhur me Vendimin e Gjykatës, ish-gruaja e deputetit thotë se është një vendim i para 7 viteve dhe që çdo gjë është e sqaruar tashmë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb