Pak ditë pasi mjekja shqiptare, Eneida Doko e cila jetonte në Gjermani, u nda nga jeta pasi u përfshi në një aksident tragjik, flet bashkëjetuesi i saj.

Partneri i saj prej katër vitesh, Thorsten Wassermann, 48 vjeç foli për gazetën gjermane BILD duke rrëfyer planet që kishin për të ardhmen.

“Ajo ishte një yll që ndriçonte dhe përçonte lumturi e dashuri kudo. Ne donim të martoheshim, të bënim fëmijë. Ishte e aftë të fliste pesë gjuhë dhe ia doli që të mësonte gjermanishten në mënyrë të përsosur brenda një viti. Për të ishte shumë e rëndësishme që ti fliste njerëzve për vendlindjen e saj, Shqipërinë”, rrëfeu Wassermann.

Aksidenti ndodhi rreth orës 11 të mbrëmjes të së enjtes, kur 34-vjeçarja humbi kontrollin e makinës në rrugën Ammerlander, goditi një trafikndarëse dhe u përplas me një shtyllë betoni. Dëshmitarët okularë shpjeguan se makina u rrotullua dhe përfundoi në një kanal.

Ndihma e parë mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, por Eni Doko nuk arriti ti mbijetonte plagëve të rënda.

Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Eni Dokos e ka dhënë kryetarja e Federatës së mjekëve në Europë, Aurora Dollenberg.

“Dr. Eni Doko, një mjeke specialiste dhe njeri i mrekullueshëm është larguar nga jeta, duke i lënë familjes një humbje të pamasë dhe ne si koleg dhe miq të saj, duke na privuar nga privilegji që ta kishim pranë në vitet që vijnë.

Dr. Eni me të qeshurën, bukurinë dhe dritën tënde do mbetesh përhera në zemrat tona”, shkruate kryetarja e shoqatës, Aurora Dollenberg.

Eni Doko la Shqipërinë në vitin 2016 për të bërë specializimin për psikiatri në Gjermani. Një prej kolegëve të saj shkroi në Facebook se mjekja shqiptare ishte e fokusuar të ndihmonte të tjerët dhe ishte një person me energji. Po hetohet nëse shkaku i aksidentit ishte rrëshqitja, shpejtësia e tepërt ose të dyja.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb