TIRANE- “Unë ndodhesha në blindën e dytë bashkë me dy kolegë, brenda të cilës kishte paratë e bankës që po i transportonin drejt Rinasit. Dy makina kanë ecur paralel me dy mjetet tona dhe njëra prej makinave, fuoristrada, ka goditur në pjesën ballore blindën e parë ku ndodheshin 2 punonjës, e më pas të dytin. Jam i terrorizuar, pashë lemeri me sy”.

Kjo ka qenë dëshmia e një prej punonjësve të sigurisë, i cili ishte sot pjesë e ngjarjes ku ndodhi grabitja e parave të bankës së nivelit të dytë. Ka qenë gazetarja e ‘News24’ Dorjana Bezat, e cila ka arritur të sigurojë për ‘BalkanWeb’ dëshminë e një prej 5 punonjësve të sigurisë, të cilët ndodhen në ambientet e Drejtorisë së policisë.

Bezat, bazuar tek rrëfimi i rojes private të bankës shton për ‘BalkanWeb’ se më pas makina e dytë është futur mes dy blindave, që të siguronte neutralizimin e tyre dhe që mjetet mos të kishin mundësi të lëviznin. Gazetarja shprehet se punonjësi ka qenë i terrorizuar nga ajo çfarë ka ndodhur, bashkë me kolegët e tij. “Nuk patëm kohë të reagonim, mjeti i dytë na bllokoi. Ishin 4 autorë, qëlluan në ajër. Autorët në 2 mjete, qëlluan drejt nesh. Kur pamë se xhamat po thyheshin, ne zbritem. Më pas na shtrinë në tokë, morën paratë dhe u larguan”, tha ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb