FIER

Ilir Dauti, pronari i kompanisë fasoneri në emër të së cilës ishte regjistruar furgoni i kapur me drogë në Qafë Thanë ka folur për gazetarin e “BalkanWeb” Ervis Kuçi.

Ai tha se furgonin e ka shitur por akoma nuk është bërë noteria pasi personi që e ka marrë nuk kishte paratë.

“Personi që do blinte furgonin, nuk kishte paratë, ndaj nuk bëmë aktin noterial
Për shitjen e furgonit kemi bërë akt marrëveshje me personin. Likuidimin do ta bënte në fund të vitit, atëherë do bënim edhe kalimin e pronësisë”, ka thënë Dauti.

Ai u shpreh se shoferi që drejtonte furgonin, ishte vëllai i personit që e ka blerë.
“Ky person nuk dinte që vëllai ia kishte marrë furgonin. Nuk më erdhi mirë që u përmend emri im në këtë ngjarje. Furgoni i përket kompanisë tonë, por nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Përmendja e emrit tim është në kundërshtim me ligjin, kanë abuzuar me mua”, u shpreh pronari i fasonerisë.

Dauti shtoi se furgoni kishte te shkruar edhe emrin e firmës tjetër që e kishte në përdorim
“Sot isha në polici dhe më thanë që nuk përfshihesh në hetim. Personi që ka në përdorim furgonin e pranon edhe sot që e ka blerë furgonin. Puna në kompaninë time vijon normalisht, pasi kjo s’ka asnjë lidhje”, deklaroi pronari i fasonerisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb