Ernest Gjoka mendon se Flamurtari është më shumë në presion sesa Kukësi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Flamurtarit dhe Kukësit analizon të dyja ekipet, ndërsa thotë se ky kampionat i këtij viti nuk ka shumë diferenca. Për Gjokën, Flamurtari ka më shumë prioritet për shkakun se ndeshja luhet në një fushë asnjanëse. Gjoka flet edhe për marrëdhëniet me Vlorën dhe Flamurtarin, ndërsa shprehet krenar që solli një trofe.

Flamurtari luan me Kukësin. Cilin shikoni favorit në këtë ndeshje?

Është një ndeshje shumë e vështirë për të dyja ekipet sepse të dyja do të kërkojnë të marrin maksimumin e pikëve. Kukësi vjen mbas dy fitoreve dhe kjo gjë i jep qetësi në përgatitjen e ndeshjes së radhës. Kurse Flamurtarit i duhet të bëjë kujdes për të mos dalë pa pikë sepse i largohet më shumë vendeve të para. Kjo gjë, për mendimin tim, do të bëjë që ndeshja të jetë shumë dinake dhe shumë taktike nga të dyja ekipet.

Cilat janë diferencat mes skuadrave?

Kampionati i sivjetshëm nuk ka shumë diferenca. Pesë ekipet që synojnë të shkojnë drejt titullit janë gati-gati të njëjta, nuk kanë shumë diferenca në cilësinë e lojtarëve. Kjo gjë bën që ajo skuadër që do të dijë të mbajë presionin e kampionatit nga ana psikologjike dhe taktike do të jetë kampione.

Kush lojtar mund të vendosë këtë takim?

Të dyja skuadrat, si Kukësi apo edhe Flamurtari, kanë lojtarë cilësorë që mund të bëjnë diferencën në momente të ndryshme të lojës.

Luhet në fushë njëanëse, sa e avantazhon Flamurtarin kjo gjë?

Sigurisht që për Kukësin dalja jashtë fushës së tij është një problem. Këtë gjë po e shfrytëzojnë të gjitha skuadrat. Kështu që edhe Flamurtari mund ta ketë plus këtë fakt.

A janë sheshuar problemet që keni pasur me Flamurtarin si rrjedhojë e gjyqeve?

Unë asnjëherë nuk kam pasur probleme me Flamurtarin. Madje, për Vlorën dhe Flamurtarin kam gjithmonë emocione. Kjo, sepse së bashku kemi sakrifikuar në momente shumë të vështira për klubin dhe njëkohësisht kemi bërë suksese së bashku duke i sjellë qytetit dhe klubit trofe. Kështu që unë i jam mirënjohës atij klubi për mundësinë e bashkëpunimit.

Ju vjen keq që u larguat nga Kukësi, edhe pse u shpallët kampion?

Puna e trajnerit kështu është. Mbas çdo fillimi ka edhe një mbarim. Por, e rëndësishme është që kur të largohesh të lësh sa më shumë dashuri, qytetari dhe profesionalizëm.

Cilin nga ekipet shikoni favorit për titull?

Është akoma shumë shpejt për të bërë parashikime, por shikoj që Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Teuta, Flamurtari dhe Laçi mund të luftojnë deri në fund për titull dhe kjo gjë i bën mirë kampionatit tonë.

Cili ekip mund të bjerë nga kategoria?

Lufta për të rënë nga kategoria do të jetë midis katër skuadrave që për momentin janë në fund të tabelës.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb