SLLOVENI- Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ndaluar sot në Aeroportin e Ljubjanës në Slloveni, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006. Ai është lënë i lirë vetëm pas rreth 5 orësh, pasi ka dalë edhe para gjykatësit në Slloveni, por ai do të qëndrojë atje derisa të përfundojë procedura e cila bazohet në fletë-arrestin e vitit 2006.

Marinka Jeraj, prokurore e shtetit ka thënë se Haradinaj ka premtuar se nuk do të largohet nga Sllovenia derisa të përfundojë procedura ndaj tij. “Kemi premtimin se nuk do të largohet nga Sllovenia deri në fund të kësaj procedure. Pra ai mbetet në Slloveni por do të jetë i lirë. Ne procedurë do të shqyrtohet fletë-arresti ndërkombëtar në bazë të të cilit është arrestuar dhe se a ekzistojnë kushtet për t’ia dorëzuar shtetit që po e kërkon”, ka thënë ajo.

Haradinajt i është thënë se mund të qëndroj ku të dojë në Slloveni, por ai nuk mund dal jashtë shtetit derisa të përfundojnë procedurat. Lajmin për lirimin e Haradinajt e ka konfirmuar edhe selia e AKK në Prishtinë.
Ndërkohë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia e Haradinaj, njoftoi më herët për ndalimin e liderit të saj.

“Në rrugë gjatë kthimit pas vizitës zyrtare në Berlin, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndaluar në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga policia e Serbisë ne vitin 2006. AAK e konsideron këtë një veprim ndërhyrje me qëllime të njëjta dhe identike si të policisë serbe, ndaj Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe udhëheqës i njohur i luftës për lirinë e Kosovës. AAK kërkon veprim të menjëhershëm për lejimin e Haradinajt në udhëtimin e tij drejt Prishtinës dhe e konsideron këtë ndalim tendencë të qëllimshme ndaj personalitetit dhe gjithë asaj që përfaqëson Haradinaj. Fletë-arrestet serbe, njollosjet dhe sulmet ndaj Haradinajt janë zhvleftësuar dhe demantuar disa herë dhe në forma të ndryshme”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

QEVERIA APELON TE AUTORITETET SLLOVENE TË KTHEJNË SA MË SHPEJT HARADINAJN NË KOSOVË
Qeveria e Kosovës e ka pranuar me shqetësim lajmin lidhur me ndalimin nga autoritetet sllovene të ish-kryeministrit të Kosovës, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, bazuar në një urdhër arrest të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.

“Shprehim shqetësimin tonë se urdhër arrestet e tilla edhe më tutje trajtohen si të vlefshëm në vende të caktuara, përkundër faktit se lidhur me këto pretendime, z. Haradinaj pafajësinë e tij e ka dëshmuar në instancat më larta të drejtësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Qeveria e Kosovës konsideron se “nuk ka asnjë arsye që Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla” dhe apelon te autoritetet sllovene që sa më parë të mundësojnë që Haradinaj të kthehet në Kosovë.

HARADINAJ: S’DAL VULLNETARISHT PARA GJYKATËSVE SLLOVENË, KAM DËSHMUAR NDËRKOMBËTARISHT
Lideri i AAK-së ka bërë të ditur se nuk do të dal para gjykatësve sllovenë sepse, sipas tij, të gjitha i ka dëshmuar ndërkombëtarisht. Këtë qëndrim të tij e ka bërë publik këshilltari i Haradinajt, Avni Arifi.

“Qendrim zyrtar i Kryetarit Haradinaj: Kryetari Haradinaj nuk pranon të del vullnetarisht para gjykatësit slloven. Pafajësinë e kam të dëshmuar ndërkombetarisht. Nuk kam asgjë me sistemin e drejtësisë sllovene e as ndërkombëtare. Sllovenet të pastrojnë sa më parë sistemin e tyre nga reliktet shpifëse te Beogradit qe datojnë që nga viti 2004 dhe ende edhe sot i konsideron si vlefshme.
Kjo sjellje dhe veprim nga shteti slloven është e papranueshme dhe shume ofendues si për mua po ashtu dhe Kosovën”, -ka shkruar Arifi në profilin e tij në Facebook.

POLICIA SLLOVENE: RASTI I HARADINAJT DO TRAJTOHET SOT NË GJYKATËN E KRANJIT
Lirimi i kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt mund të ndodhë vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Në një prononcim për lajmi.net zyra për informim e Policisë së Sllovenisë kanë konfirmuar arrestimin e Haradinajt në bazë të një fletarresti të Interpol-Serbia.

Zyrtari për informim i kësaj policie, Bojan Kos, ka thënë se një shtetas i Kosovës është arrestuar dhe se procesi do të vazhdojë tutje te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut në Kranj sot pasdite.
Sipas tij, i gjithë procesi mund të përfundojë vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore. “Për arsye të konfidencialitetit të të dhënave personale, ne vetëm mund të konfirmojmë arrestimin e një shtetasi të Kosovës, i cili është i kërkuar nga Interpol Serbia. Personi është arrestuar sot në aeroportin e Lubjanës”. “Lënda do të shkojë te gjykatësi hetues në Gjykatën e Qarkut sot pasdite për procedura të mëtejshme”, ka thënë Kos.

PROTESTË PARA AMBASADËS SLLOVENE, KËRKOJNË LIRIMIN E HARADINAJT
Nënkryetari i të Rinjve të AAK-së, Argjend Zejnaj ka njoftuar përmes një postimi në ‘Facebook’ se një numër i qytetarëve kanë dalë para ambasadës së Sllovenisë në Kosovë, në shenjë proteste për ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në mesin e protestuesve janë edhe zyrtarë të AAK-së si, Ahmet Isufi, Time Kadrijaj, Avni Arifi, Jahja Lluka etj. Në anën tjetër nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi tha se janë takuar me ambasadorin slloven në Prishtinë nga i cili kanë kërkuar që të lirohet sa më shpejt Haradinaj dhe të rregullohet çështja e flet-arresteve serbe të lëshuara vite me parë. Njëri nga anëtarët e Kryesisë së AAK-së Pal Lekaj ka thënë për KosovaPress se menjëherë pas marrjes së lajmit për ndalimin e Haradinajt në Lubjanë zyrtarë të kësaj partie kanë biseduar në telefon me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë Samuel Zbogar dhe me ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë.

Sipas Lekajt Haradinaj është arrestuar në bazë të fletëarrestit që në vitin 2006 ka lëshuar Serbia nëpërmes Interpolit dhe presin që brenda dy tri orësh ai të lirohet. Lekaj po ashtu tha se kanë biseduar edhe me ambasadorin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë në Lubjanë.

RAMUSH HARADINAJ: NUK JAM I ARRESTUAR
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, nga Sllovenia, ka deklaruar se autoritetet sllovene kanë reaguar ndaj një fletë-arresti të Serbisë, i cili daton që nga viti 2006. Ai ka thënë se do ta vazhdojë itinerarin e përcaktuar, për t’u kthyer në Kosovë, pasi të hiqet nga sistem ky fletë-arrest. “Nuk jam i arrestuar, por po merr kohë pastrimi i listës nga sistemi slloven”, -ka thënë ai.

Haradinaj me humor ka komentuar se gjithë kjo i ka kushtuar me humbje të avionit. Ditëve të fundit lideri i AAK-së, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës ka qëndruar për vizitë në Gjermani, ku është takuar me parlamentarë të këtij shteti.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: