Pas dorëheqjes së papritur të Florenc Dokës më 24 prill, Edmond Llabani është emëruar si drejtor i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin, një vendim i marrë nga Ministria e Drejtësisë deri në emërimin e një drejtuesi të ri.

Llabani, një figurë me përvojë të gjatë në sistemin penitenciar, ka mbajtur më herët funksionin e zëvendësdrejtorit të këtij institucioni dhe ka shërbyer gjithashtu si shef i policisë brenda IEVP Peqin. Emërimi i tij vjen si vlerësim për kontributin dhe angazhimin shumëvjeçar në këtë fushë.

Ndërkohë, dorëheqja e Florenc Dokës është pranuar dhe miratuar nga Ministria e Drejtësisë, edhe pse arsyet zyrtare të largimit të tij nuk janë bërë publike. Doka kishte një eksperiencë të konsiderueshme në sistemin e burgjeve dhe ishte angazhuar në zbatimin e disa reformave brenda institucionit që drejtonte.

Burgu i Peqinit ka qenë së fundmi në fokus të vëmendjes për çështje të ndryshme që lidhen me administrimin dhe funksionimin e sistemit penitenciar, por nuk ka të dhëna që e lidhin dorëheqjen e Dokës me ndonjë ngjarje të veçantë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb