Florian Marku, kampioni i kickbox, do të ndeshet më 8 qershor në pallatin e sportit “Asllan Rusi” me serbin Sladan Dragisiç.

Shqiptari, ashtu si edhe në një intervistë të pak ditëve më parë, ka premtuar se nuk do ta diskutojë fitoren ndaj kundërshtarit, madje do ta mposhtë me ‘nokaut’ që në raundin e parë.

I ftuar në “Wake Up” Marku ka komentuar një intervistë të serbit ku shprehet se do të vijë për të befasuar kryeqytetin.

“Dëshira ime është për t’i dhuruar spektakël publikut. Shpresoj, meqë edhe serbi ka dhënë një intervistë ku ka premtuar se do të luftojë si burrat, që të bëjmë një ndeshje të bukur dhe unë nga ana ime shpresoj të luftoj vetëm në këmbë. Pastaj, kush është më i forti do të shohim. Por, nëse ai e bën këtë gabim dhe ndeshet në këmbë me mua, u them shqiptarëve se ndeshja do të përfundojë shumë shpejt. Ka për ta parë veten pa ndjenja”, është shprehur ndër të tjera Marku.

I pyetur se përse nuk i merr në ndeshje nënën dhe motrën Florian Marku u përgjigj: “Më stresojnë, unë duhet të jem i qetë në ring. Diçka e tillë më ka ndodhur gjatë një dueli në Greqi. Mes 4.000-5.000 vetëve dëgjova vetëm një zë që thërriste emrin tim. E kuptova që ishte motra ime dhe më shpërqendroi. Nuk e dija që do të ishte aty e prej atëherë i kam lajmëruar të mos vijnë më të më ndjekin.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb