TIRANË – Florije Gjana, e veja me tri fëmijë që jeton në bunkerin e ushtrisë në periferi të kryeqytetit, në zonën e Mbishkozës, dje nuk kërkoi në “News 24” më shumë se një dritë, “që të paktën të mos kemi frikë natën,” – siç i tha ajo gazetarit Erjon Skëndaj ndërkohë që mendonte për bukën e fëmijëve…

Sot, Florija ishte e ftuar në emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24, ku duke parë kronikën e djeshme në bunkerin e saj të errët e të lagësht, nisi të qante, pa e ditur se pas pak do të kishte edhe disa surpriza për fëmijët e saj e mbi të gjitha, mundësia për të pasur një shtëpi.

Ajo shoqërohej nga vajza e saj e dytë, Fatbardha 11 vjeçe dhe Saimiri, 9 vjeç, sepse vajza e madhe, 13 vjeçe nuk mundi të vinte.

Gazetarja Evis Ahmeti tha që në hyrje të emisionit se ka qënë familja e një mjeku dhe një institucion që ka insistuar për filantropi, ndaj “News 24” vendosi që ndihmat t’i shkonin kësaj familjeje. Por, dhuruesit kërkuan të mbeten anonimë.

“Znj.Florije, – tha gazetarja, – do të donim të ndanim emocionet tuaja dhe të fëmijëve, ju pamë mes buzëqeshjes dhe lotëve. Nuk arrita ta kuptoj anën tënde emocionale tënden dhe tyren. Mund të më thuash çfarë ndien në këto momente?”

“Kam vuajtur shumë në atë bunker…- tha Florije Gjana duke u kollitur,- kam hequr ujë dhe e kam nxjerrë jashtë… Aty jam sëmurur, s’kam treguar kujdes për veten, mendoj për fëmijet se nuk dua t’i le në rrugë…”

E pyetur se pse fëmijët në studio qendrojnë aq të heshtur, Florija tha: “Fëmijët janë pak të trembur…I tremb bunkeri, e hequra keq dhe se nuk janë mësuar të dalin. Sot këtu kishin dëshirë të vinin, meqënëse është festë…”

Gazetari Erjon Skëndaj, i ftuar në studio, rrëfeu: “Para 8-9 muajsh kemi qënë me Florien në një tjetër emision dhe më vjen keq… Në fund të emisionit, gazetarja Ulpiana Lama më la amanet që ta ndiqja deri në fund këtë rast, ta bombardoja median…Është më shumë se skandal që një familje të jetojë në bunker…12 vjet. Ka ardhur një moment që kushdo që punon si gazetar, ngre të njejtën pyetje: Si është e mundur që në 24 vjet, të gjitha qeveritë nuk nxjerrin minimumin jetik në një kohë kur ndihma ekonomike është shumë e vogël, në rastin më të mirë 7 mijë lekë… Megjithatë, pas prezantimit të rastit në “BalkanWeb” ne patëm reagime të shumta, dhurime. Mendoj se neve na mjafton vetëm një shkëndijë që të lehtësohen shumë probleme.”

Vetë gazetarja Ulpiana Lamaj, nëpërmjet telefonit tha se fëmijët e kësaj familjeje meritojnë një fat tjetër nga ai i nënës së tyre, ata kanë nevojë për strehim dhe znj.Florije, edhe për një punë stabël.

INTERVISTA ME FEMIJET

Fatbardha, si i feston ti festat?
Me të falur… Sot i kam thënë shokëve të më ndjekin tek “News 24”

Të pyetën për çfarë do të flasësh?
Eh….(nuk flet, preket…)

Çfarë të falin gjatë festave?
Ushqime…

Po ne pamë që të mungojnë shumë gjëra në shtëpi, orendi. Çfarë të mungon më shumë? Apo të mungojnë të gjitha dhe nuk ke çfarë të zgjedhësh?

Po, të gjitha…

A shkon në shkollë, mësoni?
Mësojmë, po drita s’kemi. S’e mbaj mend sa kohë… Mësuesja më pyet pse s’i ke bërë detyrat…

I ke thënë mësueseve që nuk ke drita?

Po, u kam thënë…

Ti je e lidhur më shumë me motrën apo më vëllain?

Me të dy…

Po ti Saimir, si je më mësime?

…(Nuk flet)

Fatbardha, kush është lënda që të pëlqen më shumë?

Matematika dhe gjuha…

Çfarë dëshire ke Saimir për festa?
Të merrja një lodër…

Ti nuk merr lodra për festa?

Jo…

Por besoj se ne do ta kthejmë buzëqeshjen tuaj për ditën e sotme…

SURPRIZA – JA SESI U NDIHMUA FAMILJA GJANA SOT

Florija Gjana e shoqëruar nga gazetarja e “News 24”, shkoi drejt “Raiffeisen Bank”, ku disa punonjëse të bankës i dhuruan një shumë parash nga ana e tyre, Me këto para, Florija u drejtua për në një supërmarket, në të cilin bleu ushqime për fëmijët, përfshirë edhe gjelin e Vitit të Ri.

Përveç këtyre, asaj iu dhuruan edhe disa mobilje dhe një sobë nga familja e mjekut anonim. Por, si ndihet pas këtyre, nëna e tri fëmijëve dhe vetë ata?

Florija tha se ndihet shumë e gëzuar, kurse Saimiri, se “i pëlqyen më shumë çokolatat.”

Por, të vegjlit e familjes Gjana i ka pritur edhe një suprizë tjetër sot: Disa të rinj nga Zadrima, toka e At Gjergj Fishtës, Ambasadorë të Paqes, kanë vendosur të japin një dhuratë: Ata, deri në Krishtlindjen e ardhshme, për çdo feste shqiptare, përfshirë edhe ditëlindjet e të tre fëmijëve, do të përgjigjen me ushqime dhe dhurata.

Përsa i përket rikthimit të energjisë elektrike, çështja do të zgjidhet me ndihmën e gazetarit Skëndaj pranë OSHE-s, duke paguar në fillim detyrimet dhe duke lidhur kontratën e energjisë për ta rikthyer energjinë elektrike brenda ditës së sotme.

E mbi të gjitha, mësohet se rezulton edhe mundësia e një shtëpie të vërtetë. Sipas juristes në studio, kryefamiljarja e ve Florije Gjana plotëson të gjitha kushtet për të fituar një banesë me bonuse. E pas gjithë këtyre dhuratave, cili ishte urimi i fëmijëve?

“Urojmë që 2015-a të jetë një vit shumë i bukur për të gjithë” – tha 9-vjeçari Saimir Gjana, me një zë të ulët dhe të ndrojtur para kamerave.

(NDIHMO: FLORIJE GJANA 0684786087)

(ar.sh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: