Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka qenë sot në studion e “Opinion” në News24 ku ka komentuar situatën dhe ngarkesën në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza por edhe qendrat e tjera spitalore universitare.

Kalo tha se gjatë këtyre ditëve por edhe në përgjithësi ka pasur një fluks të madh qytetarësh që anshkalojnë të gjitha institucionet e tjera shëndetësore dhe drejtohen në QSUT për të kërkuar shërbim për shëndetin e tyre.

Kalo apeloi që qytetarët t’i drejtohen fillimisht mjekut të familjes dhe më pas poliklinikave e të mos dynden në QSUT. Ai kërkoi mirëkuptim prej tyre.

“Një pjesë e madhe e atyre që jetojnë sot në Tiranë nuk janë të sedentuar. Kanë banesë në TIranë por figurojnë si qytetarë të qyteteve të tjera, nuk kanë kartelë shëndetësore dhe preferojnë që për të mbuluar problemet e tyre shëndetësore t’i drejtohen QSUT-së, urgjencës.
Ne hyjmë në derën e spitalit dhe mendojmë ‘unë jam i pari që duhet të marr shërbim’. Njerëzit duhet të na mirëkuptojnë dhe jo të bëjnë presion. Fluksi nuk është i harmonizuar. Pjesa më e madhe pasi hanë drekë, i mësyjnë spitaleve pasdite. Mund të jetë gjysma e Tiranës që vjen për ndihmë, ndërkohë që poliklinikat mund të jenë bosh. Arsyeja tjetër është mosbesimi. Nuk ka vetëm QSUT mjekë të përgatitur por gjithë Shqipëria.
Njerëzit duhet të binden që është qendër spitalore universitare. Janë qendra spitalore universitare. Duhen fillimisht nga rrethet të drejtohen tek mjeku i familjes, më pas ai i adreson në specialistët në spitalet rajonale”, deklaroi Kalo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb