Këtë të mërkurë, në universitetin “Luarasi” kanë nisur regjistrimet e maturantëve të shpallur fitues gjatë raundit të parë të aplikimeve për vitin e ri akademik 2020-2021. Studentët më të rinj të regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik apo atë të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit janë njohur me kurrikulat dhe auditorët. Rektori i universitetit prof. dr. Ethem Ruka thekson se mbi 1 mijë maturantë kanë zgjedhur “Luarasi” si preferencë të parë.

“ Janë mbi 1 mijë studentë maturantë që kanë zgjedhur si preferencë të parë për ‘Luarasin’, por preferencat për ‘Luarasin’ nuk fillojnë sot. Më shumë se 200 studentë janë pararegjistruar dhe sot ata vijnë të bëjnë kontratat përfundimtare. Është një universitet shumë i mirë, një universitet shumë serioz, me besueshmëri shumë të lartë. Të nxitojnë të vijnë të regjistrohen te ‘Luarasi’ si një zgjedhje nga më të mirat. Ata që nuk e kanë zgjedhur ‘Luarasin’ mund të përfitojnë në raundin e dytë” – tha Ruka.

Vetë studentët e saporegjistruar shprehen tejet të kënaqur mbi zgjedhjen që kanë bërë për rrugëtimin e tyre akademik. Dekani i Ekonomikut Mateo Spaho bën me dije se pavarësisht pandemisë, 80% e studentëve të diplomuar në “Luarasi” kanë arritur të gjejnë punë. Ai fton maturantët që të nxitojnë për t’u regjistruar pasi kuotat janë të limituara.

“Procesi është i rregullt ne jemi mjaft të kënaqur me këtë fluks. Jemi të kënaqur jo vetëm nga studentët që vijnë, por edhe nga studentët që përfundojnë te “Luarasi” sepse më shumë se 80% e tyre, ndonëse në vit pandemie kanë gjetur një vend pune.” – u shpreh Spaho.

Përgjatë gjithë muajit shtator por jo vetëm, stafi akademik i “Luarasi” do të jetë në gadishmëri të studentëve duke ofruar çdo lloj informacioni mbi kurrikulat e programit që ata kanë përzgjedhur si dhe do t’i orientojë ata mbi hapat që duhet të ndjekin për proçesin e regjistrimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb