TIRANË

Deputetja e zgjedhur e PD Flutura Açka e shikon si një problematikë të theksuar plakjen e popullsisë shqiptare dhe thotë se duhet të ketë së pari prosperitet mental për ta bërë Shqipërinë më të dashur, sidomos për të rinjtë.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Açka tha se platforma qytetare për demokracinë e opozitës dhe plani i PD e vënë fokusin tek ndihma për familjet.

“Kjo kurbë ka vite që ka nisur, flas për 10-vjeçarin e fundit. Po të shikosh kurbën e vdekjeve e cila nuk ka ndonjë ndryshim të madh, përveç vitit 2020, kurba e lindjeve është gjithnjë në zbritje. Veçanërisht zbritja e madhe fillon nga viti 2013-2014, kjo do të thotë që popullsia shqiptare sa po vjen e po tkurret. Sipas të dhënave të INSTAT popullsia është tkurrur me 2.7%. Çfarë do të ndodhë, kjo më shqetësoi.
Publiku e ka parasysh projektin tonë, projektin e PD mbi familjen, për të ndihmuar familjen shqiptare. Familja shqiptare është më e goditura vitet e fundit. Janë larguar mbi 400 mijë shqiptarë. Nuk është fenomen i shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe të Kosovës. Kjo tkurrje do jetë dhe më e madhe në vitet e ardhshme, që na vë në dyshim si komb. Projekti e ka shumë mirë të pasqyruar se çfarë duhet për familjen shqiptare. Këto shifra të cilat janë publike, janë zyrtare, jo të politikës. Ka ardhur momenti që ato projekte që i ka pasur dhe gjatë fushatës duhet të jenë piketa.
Nuk është vetëm sfidë e imja por edhe e kolegëve të mi dhe të partive të tjera që kanë shqetësim si ky. Projektet tona duhet të jenë në ndihmë të familjeve shqiptare. Kjo është emergjenca kombëtare. Duhet t’i marrim gjërat me radhë, duke nisur nga shkollat, me subvencione që të jenë projekte ligjore. Ne ua kemi bërë gogol Shqipërinë shqiptarëve. Të rinjtë rrinë në kafene nuk kanë më inspirim. Pse e kemi përzënë, pse e kemi mërzitur, pse e kemi përjashtuar rininë nga kjo tryezë që mezi pret të arratiset nga Shqipëria.
Gjëja e parë që prosperiteti duhet të nisë nga prosperiteti mental. Duhet të krijojmë një Shqipëri të dashur veçanërisht për të rinjtë”, tha Açka, shkruan “BalkanWeb”.

Sipas saj, nëse PD do ishte në pushtet, projektet do të implementoheshin menjëherë pasi ishin pjesë e programit.
“Projektet tona ishin shumë të qarta. Nëse PD do ishte në pushtet, do ishin projekte të detyrueshme, por edhe në kushtet e opozitës do luftojmë që këto projekte të opozitës për familjen shqiptare të shkojnë deri në fund. nëse ndeshim murin e fortë, atëherë do ua bëjmë të qartë shqiptarëve se këtu ndahen patriotët”, tha ajo.
Lidhur me politikën dhe çfarë pritet në shtator, Açka theksoi se do të ketë një luftë të vërtetë për demokracinë në parlament.
“Ne kemi shumë projekte. Projektet tona janë pothuajse në letër. Kërkesa jonë e parë çfarë është bërë me denoncimet. Për të nxjerrë përpara përgjegjësisë përgjegjësit e shpërdorimit të fondeve tona. Është pandemia, koncesionet etj. Ka shumë gjëra me të cilat do të merret opozita. Jo retorikë por luftën e vërtetë për demokracinë në parlament”, u shpreh deputetja e zgjedhur e PD.

E pyetur nëse do të ketë protesta, Açka tha se është shumë shpejt.
“T’i lëmë shqiptarët t’i shijojnë ato pak javë të verës, por nga fillimi i shtatorit çështjet do të jenë të qarta, duke nisur me krimin zgjedhor, vjedhjen e zgjedhjeve me platformë shtetërore. një nga çështjet themelore të opozitës është zgjidhja e kësaj gjëje. Ne presim nga SPAK, nga drejtësia”, tha ajo.

Afganët në Shqipëri
Sa i përket strehimit të shtetasve afganë në Shqipëri, Açka deklaroi se e mbështet gjestin për të ndihmuar, por vuri theksin tek transparenca që duhet të tregojë qeveria.
“Është e trishtueshme t’i shikosh ato pamje të tmerrshme që ne shqiptarëve na kujtojnë eksodin, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Nuk dua t’i hyj çështjes së fajit. Si një shqiptare, që ka qenë e pranishme pranë dramave, më duket një gjest i mirë, shembull që Shqipëria të ndihmojë të marrë pjesë, por gjërat duhen bërë në mënyrë transparente. E kuptoj se qeveria po vepron me urgjencë, por duhet të ketë transparencë. Mungesa e transparencës ngre shumë dyshime. Nga kjo politikë duhet të heqim dorë. Për të gjitha çështjet dhe të emergjencës duhet transparencë. Nuk është e duhura të zbrazen konviktet e studentëve, ne diskutojmë t’i kemi gati për studentët. Është faza për t’u dezinfektuar, për t’u përgatitur. Këto nxitime të kësaj natyre nuk janë shumë të lavdërueshme. Më vjen mirë dhe nga sensibiliteti i komuniteteve fetare, por duhet të shërbejnë dhe ata me gjëra konkrete.
Ne informacionin e morëm nga media të huaja, jo nga qeveria shqiptare. U habitëm të gjithë si komb, dhe ne nuk dimë asgjë se çfarë është vendosur. Kjo nuk ju duket jo transparente dhe e dënueshme?”, tha deputetja e zgjedhur e PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb