Nga ORNELA MANJANI*

Ulja e borxhit publik dhe heqja e subvencioneve për energjinë janë dy rekomandimet kryesore të Fondit Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare. Në raportin e fundit “Ballkani Perëndimor, 15 vjet tranzicion ekonomik” FMN jep një panoramë të politikave fiskale, duke veçuar sfidat dhe duke dhënë rekomandime për politikat që duhen ndjekur. Sipas raportit për Shqipërisë, sfida kryesore theksohet në raport se është borxhi i lartë dhe nevojat e financimit, të cilat janë gjerësisht të varura nga bankat.
Raporti rekomandon konsolidimin fiskal që do të vijë gjerësisht përmes masave në drejtim të të ardhurave dhe eliminimin e subvencioneve të energjisë. Ekspertët e FMN-së theksojnë se subvencionet e energjisë janë një mënyrë shumë jo eficiente për të shpenzuar paratë publike. Raporti rekomandon që konsolidimi fiskal duhet të plotësohet nga ndryshime në përbërjen e tij, duke reduktuar në veçanti peshën që zënë shpenzimet korente.

Rekomandimet

Kontrollet në sektorin e gjerë publik duhet gjithashtu të përmirësohen, teksa shpenzimet sociale dhe subvencionet vazhdojnë të komplikojnë planifikimin e buxhetit në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Në pjesën më të madhe të vendeve, masat në drejtim të të ardhurave duhet të shihen si një plotësues për rregullimet që ndodhin në kahun e shpenzimeve. Reformat strukturore fiskale duhet të përqendrohen në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe luftën ndaj ekonomisë informale. Rekomandimet kryesore të FMN-së janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe reformat e thella strukturore. Vendet duhet të trajtojnë deficitet fiskale dhe të reduktojnë borxhin publik, të investojnë në sektorët e tregtueshëm për të rritur eksportet dhe të reduktojnë deficitin e llogarisë korrente. Gjithashtu, FMB rekomandon se vendet duhet të përballen me problemin e kredive me probleme që bllokojnë sistemet financiare, kështu që bankat mund të japin hua përsëri në sektorin privat. Të përmirësohet konkurrenca, të privatizohen ndërmarrjet shtetërore dhe të përmirësohen tregjet e punës.

Raporti

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e publikuar dje thotë se, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë duke mbetur prapa vendeve të tjera ish-komuniste që kanë kaluar tranzicione të krahasueshme.

Ahmetaj raporton në FMN

Ministri Ahmetaj në Konferencën e FMN në Vjenë: “Ballkani Perëndimor – 15 vjet tranzicion ekonomik”. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj ishte ftuar të merrte pjesë në Konferencë së bashku me përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ahmetaj diskutoi në panelin e dytë me temë: “Politikat makroekonomike dhe reformat strukturore”, së bashku me ministrin e Financave të Serbisë, Dusan Vujovic dhe drejtorin e përgjithshëm për Marrëdhëniet Ekonomike dhe Financiare Ndërkombëtare në Komisionin Evropian të Ekonomisë dhe Financave (EKFIN) Peter Bekx.

Ministri Ahmetaj në fjalën e tij iu referua zhvillimeve kryesore të ekonomisë shqiptare, duke u ndalur te reformat aktuale të ndërmarra në kuadër të Programit të qeverisë shqiptare me FMN dhe Bankën Botërore. Ai sqaroi gjithashtu politikat e qeverisë shqiptare për garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar në vend, kontrollin e financave publike, objektivat për borxhin publik e deficitin, por edhe ato të lidhura me rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto, punësimit, investimeve publike dhe atyre të huaja direkte, eksportet etj.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: