Teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit pati rezerva për amnistinë fiskale, qeveria ka hedhur për konsultim 2 vite pas variantit të parë draftin e rishikuar. Në draftin e publikuar për konsultim publik parashikohet të legalizohen pasuri deri në 2 milionë euro duke paguar një tatim që varion nga 7% deri në 10 %.

Nëse vetëdeklarimi do realizohet në 4 muajt e parë pas hyrjes në fuqi të ligjit tatimi do të jetë 7% ndërsa pas kësaj periudhe  pasuria do të tatohet me 10% të vlerës. Nga kjo nismë do të përfitojnë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë apo jo rezidentë tatimorë, si dhe personat juridikë e fizikë, tatimpagues në Shqipëri.

Për këtë qëllim, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të ngrihet Njësia për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive. Pranë saj mund të paraqitet çdo individ që kërkon të deklarojë vullnetarisht pasurinë, të pajiset me një formular të deklarimit dhe më pas të vijojë procedurat duke hapur një llogari bankare për këtë qëllim. Sipas draftit shuma që deklarohet dhe derdhet në bankë nuk mund të transferohet jashtë shtetit për një periudhë 5-vjeçare nga momenti i depozitimit të saj. Në rast të kundërt, do të duhet të paguajë një penalitet në masën 30% të shumës së transferuar.

  • foto galeri
  • foto galeri

Nga amnistia fiskale përjashtohen të gjithë funksionarët e lartë të shtetit dhe subjektet e krimit. Është detyra e Njësisë Speciale të bëjë verifikime në bashkëpunim me disa institucione te tjera si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokurorinë, apo Kadastrën për të kuptuar nëse kjo pasuri është nga puna në të zezë apo është vënë nga aktivitet kriminal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb