Gjysma e vendeve të botës kanë kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndihmë shpëtuese si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), tha shefja e këtij fondi, Kristalina Georgieva.

“Ky është një rast urgjent si asnjë tjetër”, tha Georgieva në një intervistë për CNBC, duke shtuar se FMN po siguron fonde në bazë të vlerësimit të shpejtë të kushteve në çdo vend.

Ajo vuri në dukje se më shumë se 100 vende deri më tani kanë kërkuar ndihmë urgjente, transmeton Atsh.

“Ne kërkojmë që vendet të bëjnë vetëm një gjë. Ju lutemi paguani mjekët dhe infermierët tuaj që të siguroheni që sistemet tuaja shëndetësore të funksionojnë dhe njerëzit e rrezikuar dhe firmat të mbrohen”, tha ajo.

Duke u përgjigjur në një pyetje mbi kohëzgjatjen e krizës ekonomike të krijuar nga pandemia, ajo tha se kjo varet nga ajo që epidemiologët do t’i thonë FMN-së.

“Në të vërtetë, është hera e parë në historinë e FMN-së që deklaratat e epidemiologëve janë po aq të rëndësishme sa ato të makro-ekonomistëve për parashikimet tona”, theksoi Georgieva.

Ajo tha se nëse masat për të penguar pandeminë janë të suksesshme në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia do të ketë një rikthim në gjysmën e dytë.

“Vitin tjetër, do të ketë një rritje me 5,8%”, shtoi ajo.

Megjithatë, Georgieva paralajmëroi që përkundër kësaj shifre në dukje pozitive, ekonomia ende do të jetë nën nivelin e rritjes së vitit 2019.

“Nëse virusi përhapet në botë dhe dyfishohet, ose nëse vaksina dhe trajtimi janë të ngadalta, gjendja mund të përkeqësohet”, tha ajo.

FMN ka parashikuar që ekonomia globale do të tkurret me 3% në vitin 2020 si pasojë e pandemisë globale të koronavirusit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: