TIRANE- Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë marrë seriozisht me sfidën më të madhe me të cilën përballet sistemi bankar i rajonit, atë të kredive të këqija. Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, “Ballkani Perëndimor, 15 vjet tranzicion” i kushton vëmendje dhe rritjes së kredive me probleme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas FMN-së, Shqipëria ishte vendi me nivelin më të lartë të NPL-ve jo vetëm në rajon, por edhe në Europën në zhvillim, në rreth 24% të totalit të huasë në fund të 2014- s. Ky tregues nuk ka zbritur nga kulmi i vet dhe është rreth 7-8 pikë përqindjeje më e lartë se mesatarja e rajoni prej rreth 15-16%. Nivelin më të ulët të kredive me probleme e kanë Maqedonia dhe Kosova. Sipas raportit, mësohet se në Shqipëri janë bërë reforma, për shembull përmirësimi i fundit në trajtimin fiskal të huave të fshira dhe hapa për të përmirësuar ekzekutimin e kolateralit, por ka pasur shumë pak përmirësim në terren, për shkak të zbatimit të dobët. Për të gjithë rajonin, FMN-ja thekson se pavarësisht përpjekjeve për reformat financiare, mjedisit institucional dhe rregullator në vendet e Ballkanit Perëndimor, këto vende nuk janë marrë seriozisht me sfidën më të madhe me të cilën përballet sistemi bankar i rajonit, atë të NPL-ve.

Në rast se problem i NPL-ve në Ballkan vazhdon, ai rrezikon të mbajë kredinë e dobët dhe të pengojë investimet afatmesme dhe afatgjata dhe rritjen ekonomike. Bankat në Ballkanin Perëndimor që kanë kredi të larta me probleme janë më të ndjeshme ndaj riskut dhe kanë shtrënguar standardet e kredisë, me synim që të shmangin përkeqësimin e mëtejshëm të portofolit. Një vëzhgim i fundit për huadhënien e bankave konfirmon se NPL-të janë faktori kryesor pengues në rritjen e kredisë në rajon, me përjashtim të Serbisë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: