Anëtarja e Kryesisë Mimoza Hajdarmataj, në një komunikim për mediat theksoi se edhe FMN është treguar kritik me ‘Tatimet’, si pasojë e paaftësisë së stafit.

Deklarata:

Fondi Monetar Ndërkombëtar, i vë notën katër dhe ‘ngel në klasë’ administratën tatimore të Edi Ramës. Në dy raporte të majit, por të publikuara së fundmi, FMN liston një sërë problematikash, duke filluar nga paaftësia e stafit dhe shpërndarja në mënyrë të gabuar e burimeve njerëzore.

Një ndër pikat ku Fondi është thellësisht kritik ka të bëjë me ndërrimin e shpeshtë të drejtuesve. Partia Demokratike, duke falenderuar FMN për punë serioze dhe ndihmën, dëshiron të ndalet në këtë pikë. Arsyeja e ndërrimit të shpeshtë të drejtorëve të Tatimeve është korruptive. Lidhet me faktin se vende të tilla shihen si mundësi pasurimi të shpejtë.

Klanet në Partinë Socialiste luftojnë me njëri-tjetrin për të çuar të besuarit e tyre në krye të Tatimeve. Gjithashtu ky ndërrim kokash në krye të Tatimeve, dekonspiron si të pavërtetë pretendimin e Edi Ramës se ka kryer reforma në Tatime. Siç e thekson edhe FMN, ndërrimi i drejtorëve e pengon reformimin e institucionit dhe të politikave fiskale.

FMN ka gjetur në këtë raport edhe një fakt tjetër. Mbajtjen bosh të mbi 200 vendeve të punës, në një institucion që ka gjithsej 1200 vetë në organikë.   Tatimeve u mungojnë edhe analistët e të dhënave, vëren Fondi Monetar dhe për këtë duhet “të bashkëpunojnë me botën akademike” për t’u trajnuar.

Partia Demokratike duke u ndalur në këto mungesa don të theksojë se çfarë fshihet pas tyre. Asgjë më shumë se mbushja e administratës, jo me ekspertë të fushës, por militantë dhe patronazhistë të partisë. Me kaq shumë raporte ndërkombëtare që i sabotojnë propagandën, qeveria Rama po kthehet në rrezik për Shqipërinë. Nuk duhet të largohen shqiptarët nga vendi, por qeveria.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: