TIRANE- Zhvillimet për perspek tivën e situatës makroekonomike, të dhënat rreth rritjes ekonomike, inflacionit, ecuria e taksave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura, reformat në energji, niveli i borxhit dhe paketën fiskale 2016 janë temat mbi të cilat Fondi Monetar Ndërkombëtar pret të marrë shpjegime nga qeveria shqiptare. Misioni i radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur në Shqipëri për rishikimin e pestë të marrëveshjes trevjeçare 2014- 2017.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Misioni do të ndërmarrë takime me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, guvernatorin i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko; ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vend. Mësohet se në fokus të takimeve do të jetë diskutimet mbi rishikimin e buxhetit 2015, i cili në katër muajt e parë ka shfaqur dobësi të theksuara në të ardhura si në raport me planin e këtij viti, edhe me faktin e një viti më parë.

Misioni i FMN bashkë me ekspertët e financave do të diskutojnë mbi ndërhyrjet që mund të pësojë buxheti pa rritur deficitin buxhetor të parashikuar në fillim të vitit. Në fokus të diskutimeve do të jetë edhe plani i ri të veprimit për uljen e kredive me probleme në banka. Banka e Shqipërisë është në përmbyllje të planit të veprimit dhe konsulta me FMN do të jetë një shtysë për finalizimin e draft- strategjisë. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, takimet do të kenë në fokus zhvillimin dhe perspektivën e situatës makroekonomike, të dhënat rreth rritjes ekonomike, inflacionit, ecurinë e taksave, shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, reformat në energji, nivelin e borxhit dhe paketën fiskale 2016.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: