Nga: VJOLLCA KONGJONI*TIRANE-Për gati dy javë misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar qëndroi në Tiranë për të analizuar të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit deri në fund të majit të këtij viti. Por edhe pas bisedimeve me palën shqiptare delegacioni i FMN i drejtuar nga Nadeem Ilahi nuk arriti të firmoste dokumentin përfundimtar që i dërgohet për miratim bordit në Washington para se të bëhet disbursimi i këstit të radhës. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të FMN çështja e miratimit të këtij dokumenti është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Burime nga ministria e Financave bëjnë me dije se kjo shtyrje është bërë për shkak të vendimit për rishikimin e buxhetit të shtetit, një rishikim i domosdoshëm, duke parë rezultatet e pesëmujorit, ku arkës së shtetit i mungonin 6,6 miliardë lekë nga cka ishte planifikuar nga qeveria. Për këtë periudhë tatimet dhe doganat nuk arritën të mblidhnin 11 miliardë lekët e planifikuara. Ndërkohë që shpenzimet buxhetore kanë rezultuar në rënie me 14.5 miliardë lekë.

Edhe shefi i misionit të FMN Ilahi në deklaratën e tij publike në Tiranë e theksoi qartësisht se:

“Ka pasur një mosrealizim në të ardhurat fiskale për periudhën janar-maj, në krahasim me buxhetin, për shkak të rënies së çmimeve dhe prodhimit të naftës dhe për shkak të dobësive në fushën e përmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet dhe në fushën e administrimit tatimor”. Autoritetet na kanë bërë të ditur angazhimin e tyre për të arritur objektivin e deficitit fiskal për vitin 2015. Konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016, për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e saj drejt arritjes së qëndrueshmërisë në kohë të borxhit”,- u shpreh Ilahi.

Ndërsa qeveria së fundi ka çuar në parlament projektligjin për miratimin e buxhetit faktit të 2014-ës, ministria e Financave po përgatit një draft për ndryshimet buxhetore për 2015-ën. Nëse FMN do të arrijë të bindet me këto rishikime, atëherë me rikthimin e saj në Shtator pritet të firmoset deklarata përfundimtare dhe miratimi i këstit të radhës së kredisë.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: