Fal vjedhjen si sëmundje dhe vrasjen për pasion, por jo mosmirënjohjen”

George Bernard Shaw, “Pigmalioni”, 1913

Në ka diçka për të cilën si qytetarë do t’i ndihemi përjetë mirënjohës deri në rrënjë të flokëve komunitetit ndërkombëtar perëndimor, është ndihma e pakursyer që na ka dhënë. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo mirënjohje fillon që me fjalimin e Presidentit Woodrow Wilson në janar të vitit të largët 1919 në Konferencën e Paqes në Paris. Fjalim që ngriu të gjitha tratativat e shteteve si Serbia, Greqia, Italia, Franca e Rusia për të na ndarë më tresh. Praktikisht, ai fjalim ishte vula që konfirmoi ekzistencën e shtetit të ri nëntëvjeçar të Evropës, Shqipërisë. Pastaj, në vitin 1992, hap zyrën në Tiranë Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Që nga ajo kohë, kjo zyrë i ka dhënë vendit tonë mbi gjysmë miliardë dollarë amerikanë në projekte dhe programe zhvillimi për shoqërinë, ekonominë dhe forcimin e institucioneve tona. Ose mbi 170 dollarë për secilin nga ne. Edhe Bashkimi Evropian na ka ndihmuar që në agun e demokracisë sonë në vitin 1991. Ndihma në dhjetëra e dhjetëra programe e projekte ka shkuar deri tani në mbi 1.1 miliardë euro, ose mbi 430 euro për secilin nga ne. Krahas shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që kanë dhënë nga buxheti i tyre, këto para kanë ardhur nga qesja e Brukselit. Edhe pse zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë asnjëherë të drejtpërdrejtë dhe shqeto në qëndrimet e tyre ndaj të pabërave të politikës sonë (kuptohet nuk përfaqësojnë një shtet unik dhe të konsoliduar ndër shekuj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një konfederatë shumë të veçantë me vendimmarrje tejet të fragmentuar, si BE-ja), gjithnjë janë përpjekur të ndihmojnë. E megjithatë, në ka pasur ndonjëherë ndonjë ndërkombëtar që të jetë sulmuar aq paturpësisht dhe deri në fyerje personale të turpshme e të neveritshme, këta kanë qenë ambasadori amerikan që na solli reformën reale në drejtësi, Donald Lu dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin. Me të parin, duke qenë burrë, fantazia poshtëruese nuk shkonte dot shumë larg në planin personal. Nuk i gjetën dot as edhe ndonjë biznes në Shqipëri apo lidhje okulte që të mund ta godisnin më lehtë. Me të dytën grua, po. Ishte mirëfilli më e lehtë. Një grua mund ta quash lehtësisht të përdalë. Në fakt, “krimi” i tyre i vetëm, por i pafalshëm e monstruoz ishte se mbështetën fort hapat e reformës në drejtësi, që në kohën e tyre ishte në pelena. Aradha e atyre që vetëm kanë vjedhur dhe abuzuar me paranë publike të shqiptarëve i sulmoi në mënyrë sistematike dhe me pabesi. Duke futur pseudogazetarë si sharës profesionistë të paguar mirë. Duke u përpjekur të diferencojë politikën e mirëfilltë të Uashingtonit apo Brukselit nga qëndrimet e tyre. Edhe pse të dyja pozicionet kanë qenë tërësisht të përputhura (pra të zyrtarëve më të lartë të Uashingtonit dhe Brukselit këtu tek ne dhe të vetë Departamentit Amerikan të Shtetit apo Komisionerës për Zgjerim) baltëhedhësit tentuan të pamundurën. Dhe diçka ia arritën në mendjet pak të informuara të militantëve të tyre. Mirëpo populli ynë, edhe pse i vuajtur, që ka ardhur nga një varfëri e skajshme, i mësuar të mos i besojë shtetit dhe me shumë pak shpresa për një të ardhme më të mirë, nuk e ka humbur syçelësinë dhe zgjuarsinë. Dhe sikurse e thotë po populli: “Dy herë nuk bie daci (maçoku) në kos”. Në rastin e fundit, me drejtuesin e sotëm të Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, baltëhedhja nuk ngjiti fare. Nëse kauza për Teatrin Kombëtar ka marrë një kontribut themelor në qëndrueshmërinë e saj, ka qenë pikërisht Bashkimi Evropian me letrën e zj. Michela Matuella, përgjegjëses së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian. Në këtë letër, Komisioni Evropian shprehej se, “mirëpriste vullnetin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”. Ka qenë pikërisht ky sugjerim që e zmbrapsi qeverinë nga caktimi i kompanisë fituese të tenderit alla “shqiptarçe” (apo kapje e pastër e shtetit) dhe e detyroi të përgatitë një garë të ndershme. Artistët protestues nuk janë pronarë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe as të shërbimit të spektakleve të Teatrit Kombëtar. Ky është një shërbim publik, pse financohet nga paratë e taksapaguesve të këtij vendi. Nuk është në nderin e tyre si artistë të spikatur të skenës shqiptare, që të nëpërkëmbin drejtuesin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, pse në një takim me përfaqësues të tyre “guxoi” të vlerësonte garën e hapur për projektin e teatrit të ri. Në asnjë rast fobia, dashakeqësia nga ndërkombëtarëve nuk na ka ndihmuar në interesat tona. Aq më tepër tani, që dy muaj më vonë shohim me shpresë se mos Këshilli i Evropës miraton çeljen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian./GazetaShqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb